Mësime mode

Mes modës së lartë e asaj të shpejtë, Xhensila Myrtezaj ka gjetur mesin e artë

Mes modës së lartë e asaj të shpejtë, Xhensila Myrtezaj ka gjetur mesin e artë

Xhensila Myrtezaj është një ndër personalitet që ndiqet masivisht në rrjete sociale jo vetëm për prurjet e saj muzikore, por edhe paraqitjet e saj të përditshme dhe ato skenike, njofton Insajderi.

Ekziston një ide e gabuar që për t’u dukur bukur dhe i papërsëritshëm duhet të shkrish një pasuri të tërë në brende luksoze e me emër. Por Xhensila – ndoshta edhe jo qëllimisht – po na e dëshmon të kundërtën.

Këngëtarja është një grua që pëlqen të ‘llastojë’ veten me veshje e aksesorë të modës së lartë, por tregohet edhe shumë praktike dhe e zgjuar duke i kombinuar ato edhe me produkte të modës së shpejtë.

Bazuar në postimet e llogarisë në Instagram, @what.they.wearin që identifikon brendet dhe çmimet e veshjeve që veshim, këngëtarja anon më shumë në aksesorë më luksozë.

Në njërën nga paraqitjet në Instagram, këngëtarja ka veshur një fustan nga Zara që kushton 30 euro me një çantë të modës së lartë nga Prada që ka çmim 590 euro, dhe thekson belin e saj me një rrip nga Dior, që arrin çmimin 475 euro.

Ka raste që këngëtarja edhe në paraqitjet televizive si në rastin e intervistës në “Kurthin e Piter Pan”, ajo preferoi të vishej e tëra në Zara.

Dashuria që ajo ka për aksesorë të shtrenjtë, vërehet edhe në një tjetër postim të llogarisë së lartpërmendur.

Ajo është parë të ketë vënë një byzylyk nga Van Cleef & Arpels që arrin çmimin katër-shifror prej  3750 eurosh dhe një tjetër nga Hermes që arrin çmimin prej 550 eurosh.

Këto janë vetëm disa nga shembujt, që këngëtarja endet mes modës së lartë e asaj të shpejtë, duke gjetur atë mesin e artë, që më së miri transmeton karakterin e saj kur flasim për stilin dhe preferencat e saj të modës. /Insajderi.com