Ministrja Dumoshi premton themelimin e Qendrës së Librit

Ministrja Dumoshi premton themelimin e Qendrës së Librit

Vlora Dumoshi, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,  priti sot anëtarët e sapo emëruar të Këshillit të Librit. Ajo tha se qasja dhe bashkëpunimi i saj si ministre do të jetë gjithmonë në funksion dhe në ndihmë të autorëve dhe botuesve në Kosovë.

Ajo tha se libri dhe veprimtaria botuese është ndikuar dhe dëmtuar nga pandemia e COVID-19, prandaj edhe do të jenë pjesë e pakos emergjente për kulturë.

Dumoshi u zotua që do të rritet fondi për përkrahjen e botimeve dhe blerje të librave si dhe u shpreh e bindur që Këshilli do të jetë aktiv në angazhimet e veta dhe do të punojë me profesionalizmin e duhur, në atë mënyrë që të bëhet seleksionimi i duhur i autorëve dhe librave që do të përkrahen nga MKRS.

Ajo u shpreh që prioritet i saj për këtë mandat është themelimi i Qendrës së Librit.

Edhe anëtarët e sapo emëruar u zotuan që do të angazhohen maksimalisht brenda funksionit dhe detyrës që u është dhënë, ndonëse viti 2020 dhe situata me COVID-19 ka bërë që aktiviteti i botuesve të bjerë ndjeshëm dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në prurjet e reja të autorëve./Insajderi.com