Sot në kuadër të festivalit FemArt, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ishte pjesë e publikimit të raportit “Drejt solidaritetit dhe bashkëpunimit – Analizë mbi përfaqësimin e grave në shoqëri civile, media dhe institucione të kulturës në Kosovë” i punuar nga Gresa Rrahmani dhe mbështetur nga Artpolis.
Duke qenë një nga personat e ftuar për të diskutuar për këtë raport, Dumoshi tha se “historikisht, roli i gruas në shoqërinë shqiptare lë për të dëshiruar”.
Mirëpo ajo u tregua pozitive lidhur me të tashmen dhe të ardhmen e grave në Kosovë.
“Ne kemi gra të cilat janë të gatshme të bëhen udhëheqëse dhe t’i marrin përsipër detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, po ashtu kemi edhe prej atyre të cilat janë të përgatitura jashtëzakonisht mirë por që nuk kanë ndonjë pozitë me përgjegjësi. Pra, ato duhet të vetëdijesohen dhe të kërkojnë që të marrin pozita udhëheqëse sepse aty ku menaxhojnë gratë, sukseset janë më te mëdha”.
Ajo mori shembull Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për faktin që ka një numër të madh grash të punësuara.
“Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë të punësuar rreth 579 punëtorë. 252 prej tyre janë gra. Gjithashtu kemi 3 drejtoresha dhe kemi edhe udhëheqëse të divizioneve të ndryshme në sport kemi 50 % gra”, tha Dumoshi./Insajderi.com