MKRS premton përkrahje me fondin e mbetur emergjent për artistët dhe krijuesit e pavarur

MKRS premton përkrahje me fondin e mbetur emergjent për artistët dhe krijuesit e pavarur

Sot Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti në takim një grup të artistëve të pavarur, ku u diskutua për identifikimin e mënyrave se si mund të përkrahet ky grup.

Dumoshi njoftoi që fondi prej 5 milionë eurosh, është përdorur për rimëkëmbje ekonomike nga Qeveria e Kosovës.

Shprërndarja e këtij fondi ka kaluar nëpër disa faza, ku në të parën janë fokusuar në fuqizimin e të rinjve dhe përgatitjen e tyre për tregun e punës përmes mundësimit të angazhimit me punë praktike në kompani private, OJQ dhe institucione publike; mbështetjen e drejtpërdrejtë të klubeve të sportit në Kosovë të regjistruara sipas legjislacionit në fuqi; dhe subvencionimin e projekteve nga fusha të ndryshme të sektorit të kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Ministrja tha se kishte propozuar që “fondi prej 2.5 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike të dikastereve që mbulon MKRS t’i dedikohet mbështetjes së artistëve dhe krijuesve të pavarur”.

Dumoshi theksoi që për të dhe për MKRS-në është e rëndësishme që të ketë bashkëpunim me të gjithë dhe se secili propozim do të trajtohet me kujdes të duhur institucional./Insajderi.com