Moderatorja shqiptare gjobitet për maskë – më shqetësuese ishte sjellja e policëve

Moderatorja shqiptare gjobitet për maskë – më shqetësuese ishte sjellja e policëve

Gjobave të policisë për mos mbajtjen e maskës në publik, nuk i ka shpëtuar as moderatorja shqiptare, Dojna Mema, njofton Insajderi.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, ajo kishte parkuar makinën, afro 3 metra, afër lokalit ku e priste një mike. Sapo kishte dalë nga makina, ajo ishte ndaluar nga policia që me pas i kishin dhënë një gjobë.

Ndonëse gjoba nuk ishte shumë shqetësuese për moderatoren, ajo ishte agravuar nga sjellja e ashpër e uniformave blu, e si rrjedhojë ajo ka reaguar me një video në llogarinë e saj në Instagram.

“Makina që parkova tek lokali mund të jenë 3 metra distancë dhe për çështje shpejtësie nuk mora maskën se do futesha në lokal”, fillon videon Mema. “Dhe gjejeni çfarë? Mora një gjobë! Ok, ishte faji im se dhe për ato 3 metra duhej ta kisha maskën me vete, por a mundet ju lutem të tregoheni pak më të sjellshëm kur ndaloni njerëzit në rrugë”.

Ajo më pas tregon se si dy policë të veshur në uniformë dhe një burrë pa uniformë i ishin afruar asaj.

“Në një formë totalisht harbute dhe gati gati sikur kisha vjedhur diçka. Ishte ndjesi shumë e shpifur se më erdhi një ulërimë nga mbrapa nga 2 policë të veshur me uniformë dhe nga 1 burrë që nuk ishte veshur me uniformë dhe që më bërtiste dhe më thoshte se do më çonte në komisariat nëse nuk nxirrja në moment kartën time të identitetit, duke i thënë që makinën e kam 2 metra më poshtë dhe duke e hapur makinën me çelës, sepse arrinte deri aty”, vazhdon rrëfimin e saj, Mema.

Moderatorja kupton edhe situatën e lodhshme që janë gjendur uniformat blu – dhe jo vetëm – për muaj të tërë, mirëpo ajo as nuk i rezistoi gjobës as nuk refuzoi ta paguante.

“E kuptoj që të gjithë ndodhemi në një situatë shumë të vështirë, shumë ezauruese dhe për forcat e policisë, por ju lutem të tregoheni më të sjellshëm, sepse është vërtetë shumë e rëndë nga ana psikologjike të ndalosh dikë në rrugë dhe t’i thuash do të fus në komisariat, përpos faktit që unë mora gjobën për të cilën nuk refuzova ta merrja, apo refuzova ta paguaja në momentin që duhet ta paguaj. Thjesht pak më shumë njerëzillëk ju lutem!”, është shprehur ajo.

Më poshtë, mund të shihni të plotë, videon që Dojna Mema ka ndarë. /Insajderi.com