Reperi Mozzik meqë nuk ka arritur të organizojë koncerte për ta promovuar albumin e tij më të ri, të quajtur “Mozzart”, për shkak të pandemisë COVID-19, ka planifikuar një organizim tjetër.
Hip – Hop artisti ka filluar shëtitje nëpër qytetet e Kosovës me autobus, ka marrë plotë CD’ja – 30 mijë sosh – dhe u ka thënë fansave që do t’ua japë flas ato, njofton Insajderi.
Mozzik është treguar i kujdesshëm duke u thënë adhuruesve të tij që të vijnë ta takojnë vetëm nga distanca, gjithashtu ta mbajnë distancën njëri me tjetrin e të pajisen gjithsesi me maska, por nëse munden edhe me dorëza.
Kjo megjithatë, ka rezultuar e pamundur.
Foto e video nga shëtitja e këngëtarin tregojnë turma të djemve e vajzave që s’kanë përfillur fare distancë, e plotë s’kanë pasur as maska.
Shëtitja ka filluar në qytetin e Mitrovicës, për të vazhduar në atë të Vushtrrisë, më pas në Gjilan dhe përfundimisht në qytetin e vetë këngëtarit në Ferizaj.
Siç dihet, masat nga Qeveria e Kosovës për ta parandaluar përhapjen e Coronavirusit, preciziojnë që nuk guxohet të ketë grumbullim të shumë personave në rrugë.
Adhuruesit e Mozzik të gjendur para kësaj dileme – ta respektojnë ligjin, apo ta thyejnë atë për ta takuar Mozzik’un – duket se lehtësisht kanë vendosur për të dytën.
Gjithsesi, pranë turmave të të rinjve janë parë edhe forca të rendit./Insajderi.com