Këngëtari i njohur Afrim Muqiqi, të enjtën e kaluar është paraqitur në Gjykatë, pasi ndaj tij është ngritur një aktakuzë për veprën penale ‘Pengim i Personit Zyrtar në Kryerjen e Detyrave Zyrtare’
Sipas aktakuzës këngëtari ka penguar një person zyrtar teksa po kryente detyrën e tij si punëtor sigurimi në oborrin e QKUK-së.
Këngëtari në fjalë nuk ka pranuar të paguaj shumën prej 1 euro për tu futur brenda në oborrin e QKUK-së, ai është fjalosur me punëtorin e sigurimit dhe kishte vazhduar të voziste veturën me shpejtësi duke goditur konin me ngjyrë të kuqe të shenjës stop.
Vet këngëtari për emisionin “Prive” ka dhënë versionin e tij. Ai thotë se rasti që ka ndodhur para 5 viteve ka qenë si pasojë e një rasti urgjent që e ka pasur me nënën e tij.
“Ka qenë një rast në vitin 2012, kur unë e kam pas nanën shumë smut edhe në mënyrë urgjente më është dashur ta dërgoj në spital. Në momentin kur kam mbrri te ajo pika ku e kanë atë pengesën aty, normal unë kam qenë me sirenë dhe me 4 tregues lëshuar, vetvetiu që është nënkuptuar se e kam një rast të jashtëzakonisht urgjent. Në atë moment kanë qenë pjesëtarët e sigurimit të cilët e bëjnë një pagesë aty, edhe normalisht që ata nuk e kam respektua sirenën edhe tregueset, që e kanë pas të qartë dhe se është dashur të dihet se është një rast shumë urgjent. Edhe pas insistimit tim që unë nuk e kom ndalë hiq sirenën, ata nuk ma kanë hapë derën dhe kështu që unë kom dalë në anën e kundërt dhe e kam rrokë atë konen, që ka qenë kone e plastikës edhe kom shkuar në spital. Po domethënë, herën e parë kam qenë para shumë viteve në gjykatë, para 5 viteve në gjykatë i kam dërguar të gjitha dokumentacionet të cilat mi ka kërkua gjykata, normalisht që në atë kohë e kam dhanë edhe një deklaratë në polici. Në bazë të gjitha atyre fakteve normalisht ka rezultuar verdikti final i prokurorit dhe gjykatësit,” tha Afrim Muqiqi për Klan Kosovën.
Për lëndimin e punëtorëve gjatë kalimit të pengesës së sigurimit, këngëtari është deklaruar së nuk ka qenë fare në dijeni. Madje thotë se punëtorët dëshirojnë të përfitojnë nga ai, duke u “shtirur” se kanë pasur lëndime fizike.
“Ndërkohë ata zotërinjtë e kishin bo një tregim penal gjoja se unë e kam lënduar dikë, çka e di, ku e di në ato momente kur edhe unë isha absolutisht ndoshta edhe pa vetëdije. Po, pasi shkova pas shumë seancave dhe është e vërtetë që nuk jam përgjigjur për shkak se kam pasur obligime tjera, dhe pse nuk e kam pa të arsyeshme me shkuar sepse nuk ka qenë një rast i cili ndoshta ja ka vlejte me shkua. Po atë e vërtetoj edhe prokurori bashkë me gjyqtaren, të cilët ma lexuan aktakuzën e atyre personave të cilët me të vërtet as nuk i njoh e nuk e di kush janë. Doli që në bazë të ekspertizës mjekësore që e kanë bërë mjekët ligjor, doli që as kanë qenë të lënduar as asgjë hiq, domethënë krejt ka qenë një “blef” i tyre, ndoshta kanë thanë hajt ndoshta e marr najë pare, ashtu e kam kuptua unë.
Gjykatësja e mbylli lëndën edhe më tha shko, do ta marrësh një vendim, nuk e di se çfarë do të jetë,” tha këngëtari Muqiqi.
Gjykata themelore pas disa ditëve do të marrë vendimin lidhur me këtë ngjarje. Këngëtari Muqiqi u shpreh se do të pranojë çfarëdo lloj vendimi.
“Po unë sigurisht si çdo qytetar i Kosovës do të pranoj vendimin absolutisht e gjykatës çfarëdo që të jetë, sepse e di vetën që jam absolutisht i pafajshëm, sepse në ato raste kur një njeri e ka më të afërmin e shpirti në atë gjendje, sigurisht që nuk i mendon as dënimin e as pasojat sepse është i momentit, kështu që çfarëdo që të jetë vendimi unë do ta pranoj,” tha Muqiqi
Pas rastit, Muqiqi ka shkuar tek në QKUK dhe ka kryer pagesën në kompaninë e sigurimit që është përgjegjësi për sigurinë e QKUK-së.
“Gjithmonë, gjithmonë, po unë është qesharake nëse nuk e paguaj 1 euro. Bile përkundrazi jam prej atyre që kur jua jap 1 euro, ja u lypi kuponin fiskal,” shtoi Muqiqi
Këngëtari për fund tha se ka dëshirë të kontribuoj aq sa ka mundësi, dhe se të gjitha obligimet ndaj institucioneve duhen kryer pa marrë parasysh se a je figurë e njohur./Insajderi.com