Ndahet nga jeta shkrimtari shqiptar

Ndahet nga jeta shkrimtari shqiptar

Moikom Zeqo, shkrimtar, studiues, ish-deputet në Parlamentin shqiptar në vitet ’90, autor i skenarëve për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor, i studimeve arkeologjike dhe të historisë së artit, është ndarë sot nga jeta, shkruan Dosja.al, transmeton Insajderi.

Dosja.al po ashtu mëson se Zeqo ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, në banesën e tij në kryeqytet.  Studiuesi i njohur vuante prej shumë vitesh nga leukemia akute, me të cilën humbi betejën.

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Familja e tij është me origjinë nga Libohova, ku ai mbaroi edhe arsimin fillor. Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, dhe u diplomua në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”. Më 1974-76 punoi si mësues në Rrogozhinë.

Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës. Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së.

Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhë si anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroate, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht.

Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe. Ai mban Urdhërin “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Moikom Zeqo është edhe Doktor i Shkencave.

Burimi: Dosja.al