‘Ndizet’ Prishtina, publikohen pamje nga koncerti i mbëmshëm i Alban Skenderaj

‘Ndizet’ Prishtina, publikohen pamje nga koncerti i mbëmshëm i Alban Skenderaj

Alban Skenderaj ka mbajtur mbrëmë në Prishtinë koncertin ‘Hapësira e një ëndrre’.

Një nga netët më të bukura të  muzikës është mbajtur mbrëmë në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë.

Këngëtari nga Shqipëria, Alban Skenderaj bashkë me shumë njerëz kanë organizuar një event për të cilin janë përkujdesur deri në detaje.

Që nga hyrja, pritja, pa u formuar radhë të gjata, pjesëmarrësit janë drejtuar me shumë përkujdes deri te vendi i tyre i rezervuar.

Për një orë, e gjithë salla me shumë drita e ngjyra është mbushur plotë dhe më se 3000 njerëzit e pranishëm ishin gati për të kënduar, vallëzuar e duartrokitur.

Sapo hyri në skenë, Albani u prit me duartrokitje e brohoritje të mëdha, me të cilat u çudit edhe ai vetë dhe që nga moment e kanë kapur emocionet të cilat do ta shoqëronin gjatë gjithë mbrëmjes.

Skenderaj përshëndeti të gjithë, ndonjëherë duke i humbur fjalët, për të filluar mbrëmjen me këngën e bukur ‘Eklips’.

Qysh me fillim publiku vazhdimisht është dëgjuar duke kënduar të gjitha fjalët e secilës kënge që është performuar.

Albani shpesh është ankuar se, për shkak të kufjeve që kishte në vesh për të dëgjuar muzikën, nuk mund të dëgjonte edhe shumë mirë publikun, por ata asnjëherë nuk janë ndalur.

Pas çdo kënge, brohoritjet po bëheshin çdo herë e më të forta!

Gjatë mbrëmjes nuk munguan as disa momente emocionuese që Albani kishte përgatitur për disa fansa të veçantë të tij.

E nuk munguan as fjalët mirënjohëse për Prishtinën dhe faktin se ishte me shumë emocione dhe shumë i befasuar me atë se çfarë po shihte.

Madje, kjo është vërejtur kur në shumë raste ai edhe i përzinte radhët e këngëve dhe orkestra duhej t’ia kujtonte.

Atmosfera u bë edhe më e zjarrtë kur këngët filluan të marrin ritëm dhe publiku u ngrit në këmbë, duke vallëzuar dhe pa ndaluar asnjëherë së kënduari.

E padyshim momenti më i bukur i mbrëmjes ishte dalja e Miriamit në skenë, e cila vazhdimisht kapte kokën duke mos besuar se çfarë po shihte e dëgjonte.

“Kam menduar se emocionet i kemi lënë në koncertin në Tiranë”, janë ndër fjalët e para të Miriamit sapo hyri në skenë.

Ata kënduan dy këngët e tyre shumë të dashura bashkë, e para se të fillonin këngën ‘Dhurata’ që e kanë bërë për vajzën e tyre Ameli, Albani zbuloi për herë të parë se Miriami është shtatzënë dhe ata po presin fëmijën e dytë.

Miriami u përcoll më pas nga skena, sigurisht me brohoritje dhe duartrokitje dhe salla tashmë është bërë një kaos i bukur.

Për të përfunduar, Albani ka zgjedhur këngën e tij më të veçantë ‘Vetëm ty’ dhe madje ka zbritur nga skena për të kaluar pranë shumë fansave që iu afruan për ta përqafuar dhe për të bërë fotografi.

Edhe ashtu, kjo këngë u performua thuajse e gjitha nga publiku i Prishtinës që kishte padyshim një nga netët më të bukura ndonjëherë.