Në një video, DJ Blunt sulmon publikisht Ledri Vulën

Në një video, DJ Blunt sulmon publikisht Ledri Vulën

DJ Blunt mori vëmendje gjatë ditës së sotme për faktin se ai sulmoi verbalisht Ledri Vulën (e tërthorazi edhe Capital T).

E gjitha nisi me një lidhje të drejtpërdrejtë të Ledrit dhe Capital T në Instagram. Dyshja u bënë bashkë për herë të parë  për bashkëpunimin më të papritur të kësaj vere, njofton Insajderi.

E gjithë ky spektakël live që sollën artistët në Instagram, duket se nuk i ka pëlqyer aspak DJ Blunt-it, dhe të themi se ai u tregua i zëshëm për këtë gjë do ishte një nënvlerësim.

Në një video që po qarkullon në media sociale, ai përqesh artistët se si i bënin qejfin njëri tjetrit gjoja se ata rikthyen trendin e krijimit të albumeve. Në anën tjetër DJ Blunt pretendon se ishte ai që vendosi trende në industrinë shqiptare të muzikës.

“Unë jam duke përgatitur albumin numër 9-të, e ti pas 20 vitesh karrierë mezi e bëre një album”, thotë ndër tjerash DJ Blunt, duke shtuar më pas, “E di se çfarë po kërkoj, thjesht mos mi merr meritat, ka të tjerë që kanë vendosur trende”.

Më pas Blunt kritikon edhe mënyrën se si ai nuk arriti të identifikonte veten me një zhanër muzike duke kaluar nga muzika e ‘Ricki Martinit e Sabri Fejzullahut’ në subzhanrin e repit të quajtur ‘trep’.

Kujtojmë që Ledri dhe DJ Blunt kishin bashkëpunuar në vitin 2014 për këngën “Nëse m’don ti”. Në anën tjetër Ledri Vula apo Capital T nuk kanë reaguar sa i përket sulmeve të DJ Blunt.

Videoja e mëposhtme e DJ Blunt që po qarkullon në rrjete sociale përmban gjuhë eksplicite.

Në fakt këto përplasje të njëanshme nuk janë të parat. Prej disa vitesh tashmë, nëpër media është folur për një sherr në rrjetet sociale mes DJ Blunt dhe Ledri Vulës.

Pikërisht për këtë sherr, Ledri Vula është prononcuar gjatë një interviste për PopCulture para dy vitesh, duke theksuar se nuk ishte i përfshirë në këto ‘beteja ofendimesh’, dhe se vëmendja e tij tashmë është vetëm tek muzika:

“Nuk më intereson fare sherri. Nuk më intereson përse më është përmendur emri, ata e kanë bërë edhe me njerëz të tjerë këtë gjë. U bë e madhe sepse ata më përmendën mua. Nuk më interesojnë këto luftërat e reperave. Më është dukur një gjë pavlerë, që u harrua në krye të tre ditëve. Nuk ishte ndonjë çudi e madhe. Unë jam njëri shumë i shoqërisë dhe më pëlqen të fokusohem vetëm tek muzika. Asgjë tjetër”./Insajderi.com