
Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Unioni i Shqiptarëve të Kroacisë, nga data 23 -30 nëntor në Zagreb u zhvilluan aktivitete kulturore.
Gjatë kësaj kohe u organizua një tribunë shkencore, u mbajt një koncert i muzikës klasike, u hap ekspozita e artistëve Vesa Govori dhe e fotografit Sejfedin Prekazi.
Në kuadër të Ditëve të Kulturës në Zagreb, në teatrin “Vidra” u dha shfaqja teatrale – komedia “Shumë zhurmë për asgjë” – vepër e William Shakespeare. Kjo shfaqje u luajt nga aktorët e teatrit ‘’Hadi Shehu” nga Gjakova. Ishte kjo një komedi e punuar mjaft mirë nga regjisori dhe aktorët shqiptarë.
Aktivitetet kulturore u përcollën nga një numër i madh i bashkatdhetarëve. Në to morën pjesë edhe z. Gëzim Kasapolli, ambasador i Ambasadës së Kosovës në Kroaci, deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, zonja Ermina Lekaj Prljaskaj, përfaqësues të Unionit të Shqiptarëve në Kroaci dhe përfaqësues të Shoqatës Kulturore Shqiptare në Kroaci.
Për shkak të gjendjes së rëndë në Shqipëri, në shumë takime u mblodhën ndihma për qytetarët shqiptarë të zonave të prekura nga tërmeti.