“Nëse vërtet duam të dashurojmë, duhet të mësojmë si të falim”

“Nëse vërtet duam të dashurojmë, duhet të mësojmë si të falim”

Mjafton t’i kujtosh emrin dhe njerëzit nga e gjithë bota do të dinë saktësisht se për kë po flasim. Çfarë ishte kaq e jashtëzakonshme në lidhje me këtë “shenjtore të lagjeve të varfra?”. E njëjta grua që kaloi pjesën më të madhe të ditës së saj, duke pastruar plagët e “më të varfërve të të varfërve” shihet gjithashtu në foto të panumërta me koka shtetesh. Pas vdekjes së saj, kur u mblodhën letrat dhe letërkëmbimet private, shumë u tronditën kur mësuan për betejën e saj me errësirën shpirtërore.

Si mund nderohet dikush si një shenjtor e të mos e ndiejë praninë e Zotit për një periudhë të gjatë të jetës? Nënë Tereza duket se i ka parashikuar këto pyetje: “Nëse ndonjëherë bëhem shenjtore – me siguri do të jem një nga “errësira”. Unë vazhdimisht do të mungoj nga Parajsa – për të ndezur dritën e atyre që janë në errësirë në tokë”.

“Nëse ka Zot, atëherë kërkoj falje nga ai. Besoj se e tëra ka për të përfunduar në qiell, me Krishtin”, – shkruan “The Times”. “Vendi i Zotit në shpirtin tim është i zbrazët. Në mua nuk ka Zot. Kur dhembja e mallit (për të) është aq e fuqishme, unë vetëm digjem e digjem nga malli dhe atëherë e ndiej se Ai nuk është aty”.

Nënë Tereza, të cilën shumica e njohin si “Shenjtorja e Kalkutës”, ikona e dhembshurisë për më të varfërit e të varfërve dhe një nga udhëheqësit më të mëdhenj shpirtërorë në historinë moderne vdiq në 1997. Ajo u lumturua (u shpall shenjtërore) nga Kisha Katolike Romake në 2003.

Si sot 109 vite më parë lindi në Shkup nga prindër shqiptarë, Nikollë dhe Drane Bojaxhiu, Nënë Tereza, fëmija i vogël i familjes. Babai i vdiq kur ishte 8-vjeç, më pas jeta për të u bë më e vështirë. Ishte e besimit katolik dhe që e vogël merrte pjesë në meshat fetare. Në moshën 18-vjeçare shkoi në Londër dhe hyri në Institutin “Motrat e Loretos”, ku mori emrin Mari Tereza. Aty jetoi për 20 vjet duke punuar si mësuese.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve. Ajo hyri në zemrën e njerëzve, sepse më parë u kishte bërë vend atyre në prehrin e përkujdesjes. Ajo besoi te mëshira, bujaria dhe dashuria, sepse në themel të veprës së kësaj bamirëseje qëndron kjo trini. Sepse gjithçka që duhet për të ndryshuar jetën e të sëmurëve, të braktisurve, të përvuajturve, të nëpërkëmburve, të rrënuarve, është t’i gjendesh pranë. Ata janë kaq shumë dhe kanë nevojë kaq pak… dashuri, përkujdesje, besim.

Në vitin 1946 shkoi në Indi, ku qëndroi deri në fund të jetës së saj. Aty themeloi misionin e saj të ri dhe gjatë gjithë jetës u shërbeu të varfërve dhe të sëmurëve të rrugës, për të cilët kujdesej me përkushtim. Nënë Tereza hapi shtëpi misionare në të gjithë planetin, gjithashtu edhe në vendet komuniste para viteve 1990.

Tereza ishte nënë kujdestare e 8000 fëmijëve në 60 shtete, ishte nënë që mjekonte 960.000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47.000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë binjakë. Këto janë shifra të viteve 1980.

Shtëpinë e Nënë Terezës e kanë vizituar personalitete, si mbretëresha e Britanisë, ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush, Xhimi Karter etj. Në titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmendim: “Pamada Shir”, “Gjoni XXIII” për Paqe, të cilën ia dorëzoi personalisht Papa Pali VI, “Samaritani i mirë” në Boston, “Shpërblimi Ndërkombëtar” nga Xhon Kenedi në Uashington, “Nëna e të gjithë nënave” Balzani, “Medaljen e Lirisë” shpërblimi më i lartë amerikan nga Ronald Regan, “Medaljen e paqes” shpërblimi më i lartë i Rusisë etj. Në çastin e marrjes së çmimit “NOBEL” më 1979, kur një nga klerikët pjesëmarrës në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte, ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkuta dhe punoj për gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Kur mori çmimin “Nobel”, amerikanët i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pasaportën, por ajo nuk e pranoi./Konica.al

Nënë Tereza fliste rrjedhshëm pesë gjuhë: anglisht, gjuhën indiane, bengale, shqipen dhe serbishten.

Bill Klintoni, në qershor 2002, shprehet se: “Nënë Tereza ishte e para që më bëri të dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Fjalë të urta nga Nënë Tereza:

– Nëse vërtet duam të dashurojmë, duhet të mësojmë si të falim.

– Folu butësisht njerëzve! Tregoju mirësinë në fytyrë, në sy, në ngrohtësinë e buzëqeshjen tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

– Rruga e jetës është drejtësia, mos u nda nga rruga për të hyrë nëpër rrugica!

– E dimë shumë mirë, se punët që bëjmë nuk janë më shumë se një pikë ujë në oqean. Por në qoftë se ajo pikë ujë nuk është atje, oqeanit i mungon diçka.

– Varfëria nuk është krijuar nga Zoti, ne e kemi prodhuar vetë varfërinë: “Ju dhe unë” me egoizmin tonë.

– Është më e vështirë të luftojmë varfërinë në vendet e pasura, se në ato të varfra.

– Mund ta gjeni Kalkutën në botë? Vetëm duhen sy për ta parë. Kudo në botë jetojnë njerëz që nuk i do kush, njerëz që nuk i ndihmon kush, që janë të braktisur dhe të harruar dhe kjo është varfëria më e madhe.

– Unë besoj se të pasurit janë më të varfër se të varfrit, sepse ata shumë herë nuk janë të lumtur, sa më shumë që kanë, kërkojnë edhe më tepër. Por nuk janë të gjithë të tillë.

– Fjalimi publik para shumë njerëzve është torturë për mua.

– Dashuria është fryti më i ëmbël i të gjitha stinëve, ndaj duhet ta shijojnë të gjithë.

– Jam e bindur se tortura më e madhe kundër njeriut është ndjenja e braktisjes.

– Kur qesh, unë dëgjoj muzikën e buzëqeshjes tënde.

– Jeta mund të jetë e ashpër disa herë, por edhe e bukur.

– Jeta është e bukur, por në e bëjmë të vështirë.

– Mos e hidhëro prindin tënd për t’i bërë të lumtur të tjerët, sepse dije se të tjerët nuk i sakrifikojnë jetët e tyre për të ndërtuar jetën tënde.

– Paratë mund të bëjnë një mashkull të pasur, por është edukata ajo e cila të bën zotëri.

– Do të doja të ndezësh një qiri, se sa të mallkosh errësirën.

– Në botë ka shumë urrejtje, shumë luftëra. Nuk do t’ia dalin dot të mposhtin urrejtjen as me luftëra, as me pushkë dhe me bomba, as me ndonjë tjetër armë që shkakton plagë. Do t’ia dalin mbanë vetëm me vepra dashurie, gëzimi, paqeje e vëllazërimi.

Jeta dhe vepra e jashtëzakonshme e Shën Terezës në shërbim të njerëzimit u nderua nga qindra mijëra njerëz të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ku Papa Françesku, duke lexuar formulën e shenjtë në emrin e Zotit shpalli më datën 4 shtator 2016 Nënë Terezën, si Shën Tereza… Festime të shumta për shenjtërimin e Nënë Terezës u bënë në qytete të ndryshme të botës, veçanërisht në Indi, Shqipëri e Kosovë.

Shqiptarët tashmë e kanë shenjtoren e tyre, e cila do të vazhdojë të na prijë në përsosjen e vlerave shpirtërore, morale e humane./Konica.al