Me datë 26 mars, aktori i dashur Rasim Thaçi që u bë i njohur për publikun me nofkën Cima, ndërroi jetë. Ai ishte 71 vjeçar, njofton Insajderi.
Prej gati dy javësh ai po trajtohej në Klinikën Infektive për COVID-19, por nuk arriti t’i bëjë ballë.
Artan Thaçi i ftuar në emisionin e mëngjesit të “T7”, nga kafeneja ku i ati pinte kafenë e mëngjesit, tregoi ndër lot ditët e fundit të babait të tij. Sipas djalit të tij, Cima ishte shëndosh e mirë deri në momentin kur ai kontraktoi virusin.
“Ishte fillimi i muajit mars që ne e kuptuam se është i infektuam me virus, qysh atë ditë kemi shku te mjeku për kontroll, e i ka bë disa fotografime nuk ishte keq ka ana e mushkërive. Nuk ka pas sëmundje tjera, ka qenë fizikisht shumë mirë. Ka fillu menjëherë me terapi, ditëve në vazhdim ju rëndu gjendja, ishte herë mirë herë jo, pas një jave filloi gjendja më shumë me ju keqësua e u detyruam që ta dërgojmë në spital për një kontroll, na thanë se duhet me ndalë në klinikë infektive, se nuk arrinte në frymëmarrje me qenë mirë”, thotë ai.
Pas pak ditësh, gjendja e tij dukej se ishte përmisuar, por Artani thotë se kjo sëmundje është e “paparashikueshme” dhe gjendja e tij u keqësua aq shumë sa u desh në shtrohej në repartin intensiv.
“Deshta me cekë që pasi që bëri mirë në Klinikë Infektive, ishte shumë interesant kjo sëmundje e paparashikueshme, sa ishte mirë ditën tjerë ishe përtokë, u keqësu gjendja shumë sa u detyruam me dërgu në repartin intensiv, aty filloi pastaj përsëri me u përmirësu. Pacientëve pos që ju humb durimi e kanë edhe një pasiguri brenda, nuk është e lehtë me qenë aty, me pa gjithçka, me pa pranë tyre duke ndërru jetë dikush”, ka thënë tutje ai.
Ditët e tij të fundit, gjendja e tij sa shkonte e rëndohej akoma më shumë dhe zemra e tij nuk mundi të durojë virusin. /Insajderi.com