Nga një refugjat në një sensacion botëror – Gashi publikon dokumentarin për jetën e tij

Nga një refugjat në një sensacion botëror – Gashi publikon dokumentarin për jetën e tij

Artisti i njohur, Gashi është fëmijë i prindërve kosovarë, që gjatë trazirave lanë Kosovën, dhe kaluan një pjesë të jetës si refugjatë në disa vende të Afrikës dhe Evropës, dhe në fund u vendosën në Brooklyn, New York në Amerikë, njofton Insajderi.

Si fëmijë, Gashi kishte probleme me nxënien e gjuhës angleze, dhe muzikën e pa si një ndihmës të mirë. Pak do të dinte Gashi se aty ai do binte kokë e këmbë në dashuri me muzikën, e veçanërisht me muzikën rep.

Më pas Gashi do të fokusohej në zhvillimin e artit të tij, më shpesh duke dështuar se duke pasur sukses, por sot me 7 gusht, ai lansoi albumin e tij të dytë me radhë, e që pritet të ketë po të njëjtin sukses të hovshëm si albumi i parë.

Albumi i ri mban titullin “1984” për nder të prindërve të tij që u martuan në këtë vit, dhe krahas albumit ai lansoi edhe një dokumentar të shkurtër për jetën e tij.

“Nëse keni ngecur në fund dhe keni nevojë për diçka për t’ju nxjerrë nga balta ju sugjeroj ta shikoni këtë sot. Ky dokumentar është për fëmijët që nuk kanë familje të pasura… nuk kanë lidhje, por kanë ëndrra të mëdha”, shkruan artisti në llogarinë e tij në Instagram teksa promovon dokumentarin. /Insajderi.com