Një nga çiftet më të famshme në Youtube nisin aventurën e parë të 2021-tës në Shqipëri

Një nga çiftet më të famshme në Youtube nisin aventurën e parë të 2021-tës në Shqipëri
Burimi i fotografisë: dontaikaory/Instagram

Dontai dhe Kaory vendosën se në vitin 2021 do të jenë udhëtarë të botës, dhe këtë aventurë vendosën ta nisin duke vizituar Shqipërinë si vendin e tyre të parë, njofton Insajderi.

Kush janë Dontai dhe Kaory?

Dyshja janë një çift që jetojnë në Londër, Dontai 23 vjeçar dhe Kaory 19 vjeçare. Të dy janë pjesë e industrisë së modelingut dhe në fillim të vitit 2020 ata zyrtarizuan lidhjen e tyre. Por pas pak kohësh, pandemia e Coronavirus-it vërshoi gjithë botën dhe kështu la në gjysmë edhe planet e tyre profesionale.

Për të qenë gjithnjë afër njëri tjetrit ata vendosën që të shpërnguleshin bashkë ku edhe hapën llogari të përbashkëta në rrjete sociale për të dokumentuar përditshmërinë e tyre si një çift.

TikTok fluksin më të madh të përdoruesve e pati gjatë muajve të karantinës, dhe kështu çifti arritën më shumë se një milion ndjekës në platformë.

Ç’lidhje kanë ata me Shqipërinë?

Ishte ndoshta një rastësi ose e bëmë e algoritmit, por në videot që ata publikonin në Youtube dhe TikTok ata mblodhën pas vetes një bazë fansash shumë besnike nga Shqipëria dhe Kosova.

Aq e madhe ishte dashuria nga fansat e tyre shqiptarë, sa që ata filluan të mësonin më shumë për kulturën e vendit tonë. Dëgjonin dhe analizonin këngë shqipe madje në shumë video ata ushtronin bashkë me fansat edhe gjuhën shqipe.

Ata janë në Shqipëri për gati një javë, dhe kanë marrë me qira një apartament në Tiranë. Në një video ata na prezantojnë me të gjithë ambientet brenda shtëpisë ku po qëndrojnë.

Në videot tjera që kanë realizuar në Shqipëri, ata kanë vizituar vende të ndryshme të Tiranës, të mahnitur nga mikpritja e popullit shqiptar dhe gjatë gjithë kohës ata hasin në kalimtarë që janë edhe fansa të tyre. /Insajderi.com