Mbrëmja e dytë e “Festivalit të Këngës”, ka filluar, kurse gjatë ditës RTSH kishte publikuar edhe listën e artistëve që ishin kualifikuar për finalen e 23 dhjetorit, njofton Insajderi.
Ndër 18 artistët e listuar, mungonte emri i Enxhi Nasufit që garonte me këngën “Njësoj”. Ajo nuk arriti dot finalen edhe pse dhuroi një performancë shumë ritmike e dinamike në skenë.
Quajeni një humbëse të hidhur ose ajo që po na shpalos të palarat e spektaklit, por këngëtarja reagoi në lidhje me mos kualifikim me tone mjaft ironike.
Në një video që ajo publikoi në llogarinë e saj në Instagram në Instastory, ajo thotë se fillimisht në finale do kualifikoheshin 16 artistë, por gjatë rrugës u shtuan edhe dy të tjerë.
“Do të ishin 16 finalistë, por rrugës u shtuan edhe dy, sepse bëhet fjalë për çështje shumë të rëndësishme, ndarje tokash. Shumë bërryla, shumë miq, shumë ujqër. Nja dy u shtuan rrugës dhe sigurisht nuk kishte vend për mua aty. Por shyqyr Zotit, isha lodhur me thënë të drejtën dhe doja të pushoja dhe jam shumë e lumtur që jam në shtëpi!”, shprehet këngëtarja.
Por ajo nuk përjashton mundësinë e rikthimit në festival kur do të mbahet gjatë viteve në vazhdim, ndoshta në kushte e rrethana të tjera.
Më poshtë mund të ndiqni të plotë videon që artistja ka publikuar në llogarinë e saj në Instagram. /Insajderi.com