
Në një postim të fundit në llogarinë e saj në Instagram, këngëtarja Olta Boka shihej teksa kishte nxjerrë në shëtitje të voglën e saj.
Por ky postim nuk do ishte nga ata të zakonshmit sepse ajo foli shumë hapur për presionin për t’u dukur në formë dhe bukur edhe pas shtatzënisë, njofton Insajderi.
“Te kjo foto shoh perëndimin, si dhuratë nga Zoti, për të ëmbëlsuar mbylljen e ditës me ngjyrat më të sheqerosura. Shoh karrocën si motivin për të filluar një tjetër ditë të mbushur me ngjyra, por nuk më shpëton nga sytë as vetja. Shoh një version të ndryshuar, patjetër të përmbushur, e me zemrën duke shpërthyer nga kënaqësia, por edhe disa kg të shtuara kokëforta për 2 muaj,” – fillon shkrimin e saj Boka.
Më pas ajo thekson, se është më e rëndësishme t’i gëzohesh rolit të ri dhe momentet e pakthyeshme, sesa të fokusohesh në anën estetike e të jashtme.
“Shoqëria, pa dashur, ushtron presion mbi standardet e bukurisë dhe nuk e mohoj që ndonjëherë e kam vënë në diskutim nëse do të mundem të kthehem në peshën e mëparshme. Por unë kam besim, me aq sa njoh veten, me disiplinën, kujdesin që tregoj ndaj vetes, me kontrollin ndaj ushqimit e me aktivititet fizik që shumë shpejt kg nuk do të jenë më një ‘shqetësim’ për mua. Për momentin, zgjodha të shijoj çdo sekondë me të voglën time, sepse e di që koha kalon shpejt e do të më marrë malli për këto momente të pakthyeshme”.
“E nëse kilogramët, janë e keqja kokëforte që erdhi me të mirën dhe bekimin, le te qëndrojnë aty përgjithmonë,” përfundon ajo.
Këngëtarja Olta Boka dhe partneri i saj Iv Rokaj, u bënë prindër për herë të parë këtë korrik. /Insajderi.com