Orinda Huta rikthehet në ekran dhe zbulon arsyen pas largimit të saj

Orinda Huta rikthehet në ekran dhe zbulon arsyen pas largimit të saj

Për dy jave rresht nuk pamë Orinda Hutën në ekranin e “Tv Klan”, gjë për të cilën nuk u dha ndonjë paralajmërim, e as shpjegim gjatë mungesës, njofton Insajderi.

Në edicionin e sotëm të emisionit të saj “Jo vetëm modë”, ajo u rikthye duke zbuluar se arsyeja e distancimit të saj ishte infektimi me COVID-19.

Ajo dhe i gjithë stafi që punojnë për emisionin ishin prekur nga virusi dhe moderatorja pohon se të gjithë ishin shëruar nga COVID-19 dhe gati për t’iu rikthyer punës.

“Dhe ja ku jemi me mungesë prej 2 javësh me speciale të reja. Në fakt arsyeja është një dhe e vetmja. Është asaj që i druhesha më së shumti që prej Marsit dhe po i ruhesha aq shumë që të mos e kaloja Covid-19. Unë bashkë me stafin e Jo Vetëm Modë kemi kaluar tashmë, e kemi kapërcyer këtë virus”, u shpreh ajo.

Moderatorja këshillon që të gjithë të kujdesen maksimalisht për sigurinë e tyre dhe të tjerëve, duke mos neglizhuar këshillat e mjekut dhe të ushqyerit shëndetshëm, për të kaluar sa më mirë këtë virozë.

“Kujdes ndaj vetes tuaj, të jeni besimplotë që do e kaloni, dhe sigurisht me ushqimin duke mos neglizhuar absolutisht çdo këshillë të mjekut. Vetëm prej tyre duhet të merrni këshilla, nga askush tjetër. Por kujdes, ushqimi është shumë i rëndësishëm gjatë kapërcimit të kësaj viroze, kësaj sëmundje”, shtoi më tej Orinda Huta, duke vazhduar më pas me programin e rregullt të emisionit.

Rreth dy muaj më parë, ajo dhe stafi i saj udhëtuan drejt Belgjikës për të xhiruar disa pjesë të emisionit “Jo vetëm modë”. Në një postim në Instagram, Huta kishte shkruar për qytetin Antwerp që vizitoi dhe se si magjia e qytetit ishte shuar nga rrugët e boshatisura si pasojë e pandemisë. /Insajderi.com