Pacolli tregon historinë e padëgjuar me Adelina Ismailin: Oferta për “Sanremo”, që u refuzua nga nëna e këngëtares

Pacolli tregon historinë e padëgjuar me Adelina Ismailin: Oferta për “Sanremo”, që u refuzua nga nëna e këngëtares

I ftuari i fundit i Adelina Ismailit në emisionin “Tete a Tete”, ishte Behgjet Pacolli, njofton Insajderi.

Me të filluar biseda ‘kokë më kokë’, Pacolli i shprehë admirimin e tij këngëtares dhe vijon të tregojë një histori që të pa dëgjuar më parë. Në vitin 2002, një përfaqësues i spektaklit italian “Sanremo”, i kishte kërkuar politikanit të gjente një artiste shqiptare që do të performonte në skenën e madhe.

Ai shpjegon se si aso kohe, nuk mund të kishte kontakt me vetë Ismailin, por në vend të kësaj e kontaktoi të ëmën e ndjerë, që ishte edhe menaxherja e saj.

Pacolli thotë se Mona, nëna e këngëtares, i kishte dhënë një jo të prerë dhe ashtu kishte mbetur.

Ismaili më pas dha një shpjegim lidhur me reagimin e 18 vjetëve më parë, duke shpjeguar situatën aktuale në të cilën ndodhej ajo dhe familja.

“Ne në vitin 2002, Z. Pacolli, ndoshta edhe unë e kam me borxh një shpjegim publik, ka qenë kohë e pasluftës, ishin vetëm dy vite sa kishte mbaruar lufta. Përveç traumave të luftës kishin filluar edhe ato të pasluftës dhe reagonim – ishim nëna me tri vajzat – me një egërsi të pashoqe, kur afrohej dikush që na jepte një të mirë, që normalisht duhet me qenë e kundërta që ta pranosh të mirën, e ne tmerroheshim. Ka vazhduar kështu një kohë të gjatë”, ka treguar Adelina.

Më pas, Pacolli i tregon se këtë admirim të madh për këngëtaren e kishte nxitur edhe ish- bashkëshortja e tij, Ana Oxa.

“Kisha një kasetë tënden dhe e dëgjonte [Ana Oxa]. Thoshte: ‘Ka një zë të mrekullueshëm dhe nga aty lindi e gjithë ideja’”, shprehet politikani.

Behgjet Pacolli tha se një tjetër këngëtare kishte përfituar nga mundësia të performonte në spektakël atë vit, pa i përmendur emrin. Ishte Elsa Lila ajo që performoi në Sanremo me këngën “Valeria”. /Insajderi.com