Palmer javën e ardhshme në Beograd

Diplomati amerikan, Mathew Palmer do të marrë pjesë në Forumin e nëntë të Sigurisë, i cili do të mbahet në Beograd nga data 16 deri më 18 tetor, njoftoi kjo organizatë joqeveritare.

Palmer javën e ardhshme në Beograd

Më 30 gusht, Palmer është emëruar i dërguar i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

Rreth një muaj më vonë Shtëpia e Bardhë ka emëruar Richard Grenellin, aktualisht ambasador i SHBA-së në Gjermani, të dërguar të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett paralajmëroi të mërkurën në rrjetin social, Twitter se Palmer së bashku me Grenellin do të qëndrojnë në Kosovë.

Mirëpo në Prishtinë ka udhëtuar vetëm Grenell.

Forumi i Sigurisë në Beograd njoftoi se në tubimin e tij javën e ardhshme, ndër të tjerë do të marrin pjesë edhe Susanne Schutz, diplomate gjermane e ngarkuar me Ballkanin Perëndimor dhe Catherine Ashton, ish-shefe e politikës së jashtme të BE-së.

Gjatë ditës, Grenell është takuar në Prishtinë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas takimit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha se Grenell pret bashkëpunim me liderët vendorë, në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.