Pas betejës me Covid-19, këngëtarja shqiptare i dedikon këngë pandemisë

Pas betejës me Covid-19, këngëtarja shqiptare i dedikon këngë pandemisë

Me 8 dhjetor, Manjola Nallbani hyri në llogarinë e saj për të njoftuar ndjekësit se kishte testuar pozitive me Coronavirus, njofton Insajderi.

Disa ditë më vonë ajo ndau një tjetër postim, duke theksuar se gjendja e saj shëndetësore ishte rënduar, meqenëse nuk ishte nga rastet e lehta.

Këngëtarja u tërhoq edhe nga gara në “Festivalin e Këngës”, ku do të garonte më këngën “Ora e jetës”.

Shkak për tërheqjen e saj u bë gjendja shëndetësore e këngëtares. Kontaktuar nga “Anabel.al”, Nallbani pohoi se ka hequr dorë nga festivali, shkaku se ajo mungoi në provat e artistëve nga pamundësia e saj të ishte prezente, njofton Insajderi.

“Unë jam tërhequr nga Festivali, sepse gjatë kohës që bëheshin prova dhe përgatitje nga konkurrentët e tjerë, unë kam qenë me Covid. Përveç kësaj, sepse tani jam më mirë, por kryesorja [e tërheqjes nga gara është] që Festivali do të mbahet jashtë në shesh dhe unë nuk mund të rrezikoj shëndetin përsëri në një kohë që jam duke u rikuperuar dhe duhet të kem kujdes”, ishte shprehur Nallbani.

Beteja me virusin vdekjeprurës ka lënë gjurmë tek Manjola Nallbani dhe këtë e ka reflektuar me projektin më të ri që ka publikuar, një këngë dedikuar situatës së pandemisë dhe veçanërisht sakrificës së mjekëve.

Kënga mban titullin “Triumf”, për të cilën ajo ka shkruar: “Kjo këngë është për NE! Një dedikim për dashurinë dhe solidaritetin njerëzor në këtë kohë pandemie. Gjithashtu një mirënjohje për gjithë ata mjekë që shpëtuan jetë”. /Insajderi.com