Pas debutimit në Kanë, filmi shqiptar pjesë e listës së ngushtë për “Oscars 2021”

Pas debutimit në Kanë, filmi shqiptar pjesë e listës së ngushtë për “Oscars 2021”

“The Van” (“Furgoni”), me regji të Erenik Beqirit çoi Shqipërinë për herë të parë në Festivalin e Kanës dhe tani bashkëprodhimi shqiptaro-francez është futur ne listën e ngushtë për çmimet Oscar në kategorinë, “‘Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër”, njofton Insajderi.

Në të njëjtën katëgori janë edhe filmat si: “Bitu”, “Da Yie”, “Feeling Through”, “The Human Voice”, “The Kicksled Choir”, “The Letter Room”, “The Present”, “Two Distant Strangers” dhe “White Eye”.

“The Van” flet për një djalë, i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Në mënyrë që të fitojë lekët e duhura sa me shpejt, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve që zhvillohen brenda një fugoni. Rregullat e furgonit janë të thjeshta, dyert mbyllen dhe fugoni niset në një trajektore rutinë, duke u kthyer në pikën e nisjes. Dyert hapen dhe nga aty mund të dali vetëm një fitues.

Xhirimet e filmit janë bërë në pjesën më të madhe të tij në Tiranë, ndërsa një pjesë e vogël është realizuar në Portin e Durrësit. Në rolet kryesore interpretojnë Arben Bajraktari dhe Afrim Muçaj.

Ceremonia e 93-të e ndarjes së çmimeve “Oscar” është parashikuar të mbahet më 25 prill në “Dolby Theatre”, Los Angeles. Lista e plotë e të nominuarve pritet të bëhet publike më 15 mars. /Insajderi.com