Filmi “Zana” nga regjisorja Antoneta Kastrati, paraqet Adriana Matoshin në rolin e Lumes, protagoniste e filmit.
Lumja, një nënë që ka humbur fëmijën e saj në luftë, përndiqet nga ankthet e natës dhe nuk është në gjendje të mbesë shtatzënë. Të dëshpëruar për të mbushur një boshllëk, familja e saj e shtyn atë të kërkojë shërues magjikë për të trajtuar infertilitetin e saj, njofton Insajderi.
Nën kërcënimin e zëvendësimit me një grua më të re, Lumja braktisë mjekësinë moderne dhe pranon të eksplorojë praktikat tradicionale. Por traumat e vjetra ngadalë dalin në sipërfaqe dhe vazhdojnë ta torturojnë atë.
E ftuar së fundmi në emisionin “Tete a tete”, me Adelina Ismailin, Matoshi flet edhe për rolin e saj që vlerësua ndërkombëtarisht me shumë çmime.
Matoshi zbulon se një rast i tillë i ngjashëm me filmin, u kishte ndodhur regjisores dhe kameramanes së produksionit. Kjo për të do të thoshte një përkushtim më i thellë në rolin që ajo do të portretizonte dhe emocionin që do të përçonte.
Por kjo nuk do të vinte pa një çmim për aktoren, e cila më pas vazhdoi ta ndjente si shumë personal rolin e Lumes.
“Aq thellë u futa në rol, sa që kishte raste kur pas xhirimeve shkoja në spital të merrja infuzion, se nuk isha mirë me kokë dhimbje”, shprehet ajo.
Edhe pas një muaji e ca, kur ajo vetëm kishte përfunduar xhirimet, çdo gjë duhej të kthehej në realitet, por ky nuk do të ishte rasti për aktoren, e cila filloi më pas të përjetonte makthe dhe frikë.
“Unë nisa të kem ankthe, sepse filmi është shumë i rëndë, dhe bëhet fjalë për vajzën që e humbi në luftë. Në ëndrra shihja fëmijët e mi. Tërë kohës e humbja nga një fëmijë në ëndërr”, thotë Adriana.
“Ishte diçka që më çmendte”, shton më tej aktorja.
Matoshi thotë se diçka e tillë u manifestua edhe me simptoma fizike duke thënë, “Nuk mund të merrja frymë, dilja në ballkon për të marrë frymë”.
Ishte kjo një periudhë, që aktorja e kishte vuajtur shumë dhe duke ditur seriozitetin e gjendjes së saj, ajo kishte kërkuar ndihmë tek profesionistë të shëndetit mendor.
“Kjo më ka munduar tepër, deri në momentin që kërkova ndihmën e psikologut. Kemi folur, jam qetësuar, kam dalë në natyrë, kam ecur”.
E sa i përket një roli të preferuar, Matoshi nuk mund të theksonte asnjë meqenëse të gjithë portretizimet e roleve në karrierën e saj, i kishte bërë me shpirt dhe shumë përkushtim. /Insajderi.com