“Pas suksesit të të famshmeve shqiptare qëndron mafia shqiptare” – Bebe Rexha reagon

“Pas suksesit të të famshmeve shqiptare qëndron mafia shqiptare” – Bebe Rexha reagon

Komuniteti i përdoruesve në internet nuk dështon së befasuari edhe këtë radhë!

E gjitha nisi me postimet e një përdorueses në emrin @mamabethanyjoan, kur bëri një sërë postimesh në llogarinë e saj në Twitter, duke pretenduar se ka ekspozuar të famshmet si Bebe Rexha, Dua Lipa, Ava Max e Rita Ora.

“Ju mund të keni vërejtur një shpërthim të pazakontë dhe të papritur të yjeve të popit shqiptar që kishin një prezencë të jashtëzakonshme në skenën kryesore të Top 40 në territoret e SHBA dhe BE.

Këta artistë përfshijnë: @DUALIPA @BebeRexha @AvaMax.” – shkruan ajo

Ky ishte postimi i parë i përdorueses, e cila më pas do të pasonte edhe me arsyet se pse po ndodhë kjo.

“Si ka mundësi që një vend i vogël me një popullsi prej vetëm 2,8 milionë, mund të shpërthejë papritmas me shumë yje të pop-it e që janë relativisht të ngjashëm? Përgjigja qëndron tek mafia shqiptare dhe pastrimi i parave”.

Ajo më pas shpjegon që Mafia shqiptare është term i përgjithshëm që përdoret për organizatat kriminale me seli në Shqipëri ose që përbëhen nga shqiptarë etnikë. Ata janë aktivë në Evropë, Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe pjesë të ndryshme të botës, përfshirë Lindjen e Mesme dhe Azinë.

E bandat që merren veçanërisht me trafikimit e drogës quhen “Banda Helbanijanc” që në shqip do të thotë “Shqiptarët nga ferri” dhe kalojnë vlerën e 5.6 milionë dollarëve. Sipas saj, këto para duhen pastruar për t’u legjitimuar, dhe këtu hyjnë yjet botërorë me prejardhje shqiptare si Dua Lipa dhe Rita Ora  – mafia shqiptare sponsorizon të gjitha aktivitetet e projektet e tyre muzikore, e si rrjedhojë ato gëzojnë famë botërore.

Ndërsa, Dua Lipa dhe Ava Max, nuk reaguan ndaj postimit të përdorueses, Bebe Rexha e mori me shumë humor.

“Sinqerisht kjo është budallallëk. Po ashtu nëse gjeni ‘numrin e mafias’ që thoni se na bëri të famshëm a mund të ma dërgosh? Unë kam një këngë të re që do të dalë së shpejti. Ndoshta ata mund të ndihmojnë dhe të ‘më blejnë një hit” siç pretendon ti. Mos nënvlerëso punën e madhe të grave shqiptare”, i ktheu përgjigje Bebe Rexha.

Kjo është një nga teoritë konspirative e para të llojit të vet sa i përket suksesit të këngëtareve shqiptare, që ka qarkulluar ndonjëherë në rrjete sociale. Postimi është bërë me datë 20 gusht, por që atëherë nuk ka pasur një ekspozim të madh në Twitter. /Insajderi.com