Duket se këngëtari dhe kompozitori i njohur britanik, Paul McCartney, ka për të thënë diçka për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në albumin e tij të ri.
Këtë e bëri të ditur vetë këngëtari, McCartney gjatë një vizite që u kishte bërë studentëve të artit në Institutin e Artit në Liverpool, raporton Billboard.
“Nganjëherë situata në botë bëhet kaq e çmendur, saqë duhet ta adresosh”, u ka thënë 75-vjeçari studentëve.
Të bëjë një këngë e cila do të kritikonte Donald Trump nuk është edhe krejt e papritur pasi që McCartney kishte përkrahur Hillary Clinton-in në vitin 2016 gjatë fushatave zgjedhore.
Gjithashtu së fundmi në një intervistë të realizuar me gazetën australiane, “Daily Telegraph” McCartney ka kritikuar presidentin e SHBA-së.
“Unë nuk e përkrah Donald Trumpin. Ai është paragjykues, dhe paragjykimet e tij, me raste janë edhe në mes të njerëzve”, ka thënë këngëtari, Paul McCartney, i cili tani mendimin dhe kritikat e tij për Trump do t’i sjellë përmes këngës.
Lista e muzikantëve që kanë kënduar apo janë shprehur kundër Trump përfshin Fiona, Death Cab, Roger Waters, Joan Baez, Carole King, Loudon Wainewright III, Billy Bragg dhe Lady Gaga, e cila të mërkurën, lëshoi një deklaratë të ashpër në Twitter, pasi Trump njoftoi ndalimin ushtarëve transgjinorë në ushtrinë amerikane.