Platforma e Spotify tani në Kosovë e Shqipëri

Platforma e Spotify tani në Kosovë e Shqipëri

Spotify ka filluar shërbimin e saj në 13 tregje të reja në të gjithë Evropën përfshirë Rusinë, një nga 20 tregjet më të mëdha në botë. Tashmë shërbimi më i popullarizuar në botë i transmetimeve audio, me zgjerimin e sotëm, Spotify tani arrin një total gjithsej 92 tregje në të gjithë botën, shkruan Business Wire, transmeton Insajderi.

13 tregjet e reja të Spotify përfshijnë: Shqipërinë, Bjellorusinë, Bosnja dhe Hercegovinën, Kroacinë, Kazakistanin, Kosovën, Moldavinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Rusinë, Serbinë, Slloveninë dhe Ukraninën.

Spotify, i themeluar në Suedi në vitin 2006, është një shërbim transmetimi muzikor dhe shërbimesh të tjera mediatike. Platforma është një shërbim fremiun (free & premium) – që do të thotë se ofrohet falas, por edhe premium, që përfshin të gjitha produktet dhe shërbimet që ofrohen me pagesë. Shërbimi falas ofron muzikë dhe shërbime të tjera të kufizuara si edhe përmban reklama dhe video muzikore automatike. Karakteristika të tjera – si dëgjimet pa reklama – ofrohen përmes pajtimeve me pagesë.

Që prej vitit 2008, Spotify siguron qasje në mbi 50 milionë këngë. Përdoruesit mund të shfletojnë projektet sipas artistit/es, grupeve, albumeve ose zhanërit si edhe të krijojnë, modifikojnë ose shkëmbejnë listat e këngëve. Spotify është shërbimi më i madh i transmetimit muzikor në botë me më shumë përdorues të abonuar – 96 milionë të tillë. Platforma ka rreth 170 milionë përdorues në përgjithësi. /Insajderi.com