Poetja Louise Glück është bërë shkrimtarja e parë amerikane që ka fituar çmimin Nobel për letërsi në 27 vjet, njofton Insajderi.
Glück, cituar për “zërin e saj poetik të pagabueshëm që me një bukuri të rreptë e bën ekzistencën individuale universale”, është gruaja e 16 që fiton Nobelin dhe e para amerikane që kur Toni Morrison mori çmimin në vitin 1993.
Një nga poetët kryesorë të Amerikës, Glück ka fituar çmimin “Pulitzer” dhe “Çmimin Kombëtar të Librit”, duke trajtuar tema përfshirë fëmijërinë dhe jetën familjare, shpesh duke ripunuar mitet greke dhe romake.
Kryetari i komitetit të çmimeve “Nobel”, Anders Olsson, përshëndeti zërin e saj “të sinqertë dhe pa kompromis”, i cili është “plot humor dhe zgjuarsi thumbuese”.
12 koleksionet e saj me poezi, nga “Faithful and Virtuous Night” (“Nata besnike dhe e virtytshme”) tek “The Wild Iris “ (“Irisi i egër”) janë “karakterizuar nga një përpjekje për qartësi”, shtoi ai, duke e krahasuar atë me Emily Dickinson me “ashpërsinë dhe mosgatishmërinë e saj për të pranuar parimet e thjeshta të besimit”.
Olsson konfirmoi se ai tashmë ka folur me poeten për t’i thënë asaj se ka fituar. “Mesazhi erdhi si një befasi, por i mirëpritur, për aq sa munda të them,” tha ai, “herët në mëngjes siç ishte”.
Poeti i fundit që fitoi “Nobel” ishte shkrimtari suedez Tomas Tranströmer, i cili mori çmimin në vitin 2011. /Insajderi.com
Burimi: The Guardian