Poezi nga Lasgush Poradeci
Llazar Sotir Gusho i njohur nën pseudonimin Lasgush Poradeci, lindi më 27 dhjetor të vitit 1899 në Pogradec, Shqipëri dhe vdiq më 12 nëntor të vitit 1987, poet dhe shkrimtar shqiptar.
Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij romantiku të fundit të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.
Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937, u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”. Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj.
Lasgush Poradeci lë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturës sonë si Eqerem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare, Rexhep Ismajli, etj. Si një personalitet i shquar dhe poet i vërtetë ai nuk ua nënshtroi kurrë artin e tij kërkesave dhe synimeve të diktaturës. Për këtë arsye ai u la në një gjendje ekonomike të rëndë dhe pothuaj në harresë nga shtypi zyrtar. Vetëm në vitin 1989 mundi të botohet vepra e tij e plotë.
Gjarpërushja
Haj të mirremi për dore,
Nep-ma zemrën që ma more,
Gjarpërushe pikëlore
M’u vrapo q’andej matanë,
më qëndro në zemër pranë,
M’i vështro sa lot më lanë.
Të fjalosemi ngadalë,
të pushtohemi pa fjalë,
Plot me afsh e duf të valë.
Me atë vetull-vetulluar,
Me atë shtatin-gjarpëruar,
Me ato kraha-fluturuar
Vetullo, moj vetullushe!
Gjarpëro, moj gjarpërushe!
Fluturo, moj fluturushe!.