Postimi i fundit i Dua Lipës në Instagram nxit reagime nga artistë serbë

Postimi i fundit i Dua Lipës në Instagram nxit reagime nga artistë serbë

Një ripostim i Dua Lipës në Instagram i postimit viral ku paraqiten fakte se Kosova s’është e s’ka qenë ndonjëherë Serbi, ka ngjallur reagime të shumta nga përdorues serbë në rrjete sociale, madje edhe fytyra publike, njofton Insajderi.

Këngëtarja serbe Jelena Karleusa i bëri një apel publik këngëtares. Ajo postoi një ‘screenshot’ të postimit të Lipës në llogarinë e saj në Instagram, duke theksuar se ekstremizmi nuk është përgjigje, duke përmendur edhe aktakuzat e fundit kundër Hashim Thaçit.

Ajo poashtu i propozon këngëtares që të fokusohet në muzikë paqe dhe dashuri.

“E dashur Dua Lipa, të duam këtu në Serbi. Ekstremizmi në asnjë mënyrë nuk është një përgjigje (ju e dini që udhëheqësi i Kosovës është në Hagë, duke u përballur me aktakuzë për krime lufte etj. Ju mund të gjeni njerëz shumë të këqij nga të dy palët). Ju lutemi përdorni platformat tuaja sociale për të shkëmbyer dashuri, paqe dhe muzikë (dhe të ktheheni në Kosovë për të qenë me njerëzit tuaj). Dashuri për të gjithë njerëzit e mirë në të gjithë botën”.

Më tej edhe një tjetër këngëtar serb, Slobo Radanovic ka reaguar ndaj postimit të Dua Lipës.

Për dallim nga kolegia e tij, ai mesazhin e tij e dha me një bluzë ku shihej harta e kufijve të Kosovës me flamurin serb. Postimi i tij në Twitter shkon si ‘përshëndetje për’ Dua Lipën.

“Vendoseni në abetare betejën e hidhur për Koshare, le të dinë nxënësit serb se ku ranë trimat”, shkruhet në bluzën e këngëtarit.  /Insajderi.com

 

Ndërkaq, Dua Lipa nuk ka reaguar ndaj shkrimeve duke vazhduar më tej kampanjën në llogarinë e saj në Instagram e Twitter ku numëron miliona ndjekës. Ajo me anë të postimeve ka kërkuar nga gjiganti Apple të vendosë Kosovën dhe Palestinën në hartë. /Insajderi.com