Pranuan fajësinë – shpallet masa e dënimit për DJ Blunt dhe Real 1

Pranuan fajësinë – shpallet masa e dënimit për DJ Blunt dhe Real 1

DJ Blunt dhe Real 1, emrat e vërtetë të të cilëve janë, respektivisht, Edon Dedi dhe Ilir Zhita janë akuzuar për posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

Sipas, “Betimit për Drejtësi”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë deklaruar fajtor, njofton Insajderi.

Pranimin e fajësisë nga të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Besart Mustafa dhe më pas është aprovuar nga gjykatësi Gent Beka, me arsyetimin se pranimi ishte vullnetar, pa presion dhe se gjen mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Sipas aktakuzës, me datë 27 janar të vitit 2019, në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, dy artistët janë ndalur nga një njësit policor, dhe makinën e tipit “BMË” tek i dyshuari Edon Dedi janë gjetur një sasi e substancës narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 10.5 gram, ndërsa tek i dyshuari Ilir Zhita po ashtu është gjetur sasi prej 3.2 gram si substancë e llojit marihuanë, të cilën sasi e kanë poseduar pa autorizim.

Me këtë të pandehurit kanë kryer veprën penale, posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 275 par.1 të KPRK-së.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Gent Beka,  i akuzuari Edon Dedi është dënuar me gjobë prej 350 euro dhe gjashtë muaj burg, ndërsa i akuzuari tjetër Ilir Zhita është dënuar me gjobë prej 300 euro dhe gjashtë muaj burg,

Me pëlqimin e të akuzuarve dënimi me burg u  është shndërrua në dënim me gjobë prej 600 euro. /Insajderi.com