Publikohet kënga e re “Sweet Regrets” nga muzikanti kosovar Visar Kasa (VIDEO)

Publikohet kënga e re “Sweet Regrets” nga muzikanti kosovar Visar Kasa (VIDEO)

“Sweet Regrets” është kënga e publikuar dje, nga Visar Kasa, i cili është një këngëtar, tekstshkrues, kompozitor dhe pianist nga Kosova që jeton në Vjenë.

Teksti i kësaj kënge dhe muzika janë të krijuara nga vetë Visari, regjinë e videos e ka bërë Kirill Komar me producent Florian Glaszer, ndërsa videoja është xhiruar në lokacione të ndryshme në qytetin e Vjenës.

Visari në bisedë me Gazetën Online Insajderi tregon që edhepse kënga është realizuar kohë më parë, pjesa e xhirimit të videos mori më shumë kohë sepse “duke e konsideruar situatën momentale, xhirimet kanë qenë shumë të ngadalësuara, pasi që për mua si iniciator i këtij projekti gjëja ma e rëndësishme ka qenë që çdokush që ka qenë i involvuar ne këtë projekt t’i ndjekë masat mbrojtëse dhe të kenë kujdes të shtuar. Jam shumë i kënaqur që projekti përfundoi, dhe të gjithë jemi shëndoshë e mirë”.

Videoja e këngës i ngjan një udhëtimi nëpër kujtime herë të ëmbla e herë përmalluese, një përsiatje për kujtimin e harrimin dhe konfuzionin që qëndron mes këtyre dyjave.

Skenat, shumica e të cilave duken të xhiruara në dritën e muzgut apo të agimit, transmetojnë një lloj ndjesie nostalgjike, që e sjellur në këtë kohë, të kujton nostalgjinë që të kaplon gjatë freskisë së parë të mbrëmjeve të fundverës.

Sipas Visarit, “Sweet Regrets” është “një letër dashurie që ai i ka kushtuar vetes”

“Si kompozitor dëshiroj që kënga ime të ketë një bisedë personale me dëgjuesin. Për mua ky tekst është shumë i rëndësishëm pasi që është një letër që unë ia dërgoj vetes, një rikujtim që duhet ta duam edhe veten”, thotë Visari për Insajderi-n.

Ai na tregon se përderisa “kënga është inspiruar nga rrugët ku ai shëtit çdo ditë dhe mendimet që i bredhin në kokë përgjatë këtyre ecjeve, melodia e kësaj kënge i ka ardhur nga ritmi hapave të tij”.

Si shumë artistë muzikorë të kësaj gjenerate gjithmonë në kërkim të më shumë mënyrave për të shprehur veten, edhe Visari nuk dëshiron ta përkufizojë muzikën e tij në një zhanër të caktuar.

“Në përgjithësi nuk kisha pas dëshirë ta caktoj një emër për muzikën që e bëj, pasi që varion nëpër shumë stile të ndryshme të muzikës, por nëse më pyetni për këtë këngë posaçërisht, do ta përshkruaja si një vals që gërshetohet me vokal soul dhe me shumë vëmendje tek teksti.”

Në përfundim të bisedës ai na thotë që ky projekt i paraprin punës për publikimin e një albumi të ri, koha e daljes së të cilit ende nuk mund të parashikohet./Insajderi.com