“Qeveria Kurti po e ri-instalon Serbinë në Kosovë”

“Qeveria Kurti po e ri-instalon Serbinë në Kosovë”

“Qeveria Kurti po i rigjallëron strukturat paralele, po i rikthen proceset prapa dhe po e ri-instalon Serbinë në Kosovë”.

Kështu thuhet në reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me vënien e gurë-themelit të “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut” nga Serbia.

Ky veprim për LDK-në është “deligjitimim dhe degradim i shtetit të Kosovës, duke e nëpërkëmbur njëkohësisht edhe identitetin e Universitetit të Prishtinës”.

Kjo parti poltike ka kritikuar edhe reagimin e zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Popovci, i cili ka deklaruar se ai universitet nuk është strukturë paralele.

“Përpos këtij veprimi degradues, e që përforcon më tutje strukturat paralele në veriun e vendit, edhe më skandaloze është deklarata e zyrtarëve të Qeverisë, përkatësisht e zëvendësministrit të arsimit, Popovci, i cili mban qëndrim se ‘Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut” dhe se rrjedhimisht ai universitet nuk është një strukturë paralele’”, thuhet në reagimin e LDK-së.

“Zëvendësministri duket se harron se asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogarmeve të Republikës së Serbisë”.

Sipas partisë opozitare, Qeveria Kurti me gjithë fuqinë ekzekutive dhe shumicën absolute parlamentare që ka, po lejon që ministrat e saj të marrin pjesë në këto aktivitete që “de-legjitimojnë shtetin tonë”.

“Praktikantët janë strukur e janë shndërruar në spektatorë. Prandaj, ndërmarrja e hapave është e largët këtu. Kryeministri Kurti duhet t’i zëvendësojë deklaratat boshe në Bruksel, me veprime konkrete në territorin e shtetit të tij. Ai duhet menjëherë, e pa vonesë, ta shkarkojë ministrin nga radhët e minoriteteve dhe me çdo kusht të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri”./Insajderi.com