Asociacioni për kulturë “Tana art” gjatë datave 22 dhe 23 gusht (2019) ka organizuar lexime skenike të fragmenteve tri dramave shqipe, si “Vetëkryqëzimi” (Ragip Sylaj), “Sekretet e urës” (Sadete Beqiri) dhe “Lufta e gruas” (Ibush Arifi).
Dramat në fjalë kanë qenë të përzgjedhura nga juria profesionale e konkursit të shpallur nga “Tana art”. Drama “Vetëkryqëzimi” e Ragip Sylajt është dërguar në konkurs me miratimin e familjarëve të shkrimtarit tonë të ndjerë. Ky tekst mori shpërblimin “Kristë Berisha” që mbanë emrin e njërit prej njërit prej dramaturgëve dhe artistëve më të spikatur të artit skenik shqiptar në Kosovë. Ndërkaq, për dy autorët e tjerë, Sadete Beqiri dhe Ibush Arifi, u dhanë mirënjohje për pjesëmarrje në aktivitetin kulturor e teatror “Leximi skenik i dramës së sotme shqipe”.
Juria profesionale përbëhej nga Agron Shala, dramaturg, kritik arti, Berat Dakaj, dramaturg, kritik teatri dhe Adil Olluri, studiues i letërsisë, prozator.
“Leximi skenik i dramës së sotme shqipe” u mbajt në fshatin Kukaj në kuadër të festivalit të kulturës dhe traditës “Etno-fest”. Ky ishte edicioni i parë i “Leximi skenik…” të organizuar nga “Tana art”, e cila synon që këtë organizim ta shndërrojë në aktivitet të përvitshëm.
Asociacioni për kulturë “Tana art” drejtohet nga regjisorja Iliriana Arifi.