Ragip Sylajt i jepet shpërblimi “Kristë Berisha” (post mortem)

Ragip Sylajt i jepet shpërblimi “Kristë Berisha” (post mortem)

Asociacioni për kulturë “Tana art” gjatë datave 22 dhe 23 gusht (2019) ka organizuar lexime skenike të fragmenteve tri dramave shqipe, si “Vetëkryqëzimi” (Ragip Sylaj), “Sekretet e urës” (Sadete Beqiri) dhe “Lufta e gruas” (Ibush Arifi).

Dramat në fjalë kanë qenë të përzgjedhura nga juria profesionale e konkursit të shpallur nga “Tana art”. Drama “Vetëkryqëzimi” e Ragip Sylajt është dërguar në konkurs me miratimin e familjarëve të shkrimtarit tonë të ndjerë. Ky tekst mori shpërblimin “Kristë Berisha” që mbanë emrin e njërit prej  njërit prej dramaturgëve dhe artistëve më të spikatur të artit skenik shqiptar në Kosovë. Ndërkaq, për dy autorët e tjerë, Sadete Beqiri dhe Ibush Arifi, u dhanë mirënjohje për pjesëmarrje në aktivitetin kulturor e teatror “Leximi skenik i dramës së sotme shqipe”.

Juria profesionale përbëhej nga Agron Shala, dramaturg, kritik arti, Berat Dakaj, dramaturg, kritik teatri dhe Adil Olluri, studiues i letërsisë, prozator.

“Leximi skenik i dramës së sotme shqipe” u mbajt në fshatin Kukaj në kuadër të festivalit të kulturës dhe traditës “Etno-fest”. Ky ishte edicioni i parë i  “Leximi skenik…” të organizuar nga “Tana art”, e cila synon që këtë organizim ta shndërrojë në aktivitet të përvitshëm.

Asociacioni për kulturë “Tana art” drejtohet nga regjisorja Iliriana Arifi.