Një prej teorive më të popullarizuara konspirative në botën e muzikës është se Tupac Shakur ka mashtruar për vdekjen e tij dhe se është gjallë.
Regjisori nga Los Angelesi, Rick Boss, është një nga ithtarët që besojnë fuqishëm se reperi është gjallë dhe gjithë këtë tregim planifikon ta shndërrojë në film.
Tupac vdiq më 7 shtator 1996 në Las Vegas, ku u vra me katër plumba. Që atëherë janë përhapur teori nga më të ndryshmet që thoshin se ai nuk ka vdekur.
Për më shumë, një prej ish-truprojave të tij është cituar të ketë thënë se i ka ndihmuar reperit që të mashtrojë se ka vdekur dhe të ikë në Kubë.
Njerëz nga e gjithë bota kanë raportuar se e kanë parë Tupacun, disa prej tyre kanë publikuar edhe fotografi me njerëz që i ngjanin atij duke pohuar se ai është reperi.
E gjithë kjo e ka nxitur regjisorin Rick Boss që të xhirojë një film lidhur me këtë temë, transmeton revista Rolling Stone. “2Pac: The Great Escape From UMC” është titulli që ka zgjedhur për filmin e tij, i cili do të flasë se si Shakur largohet nga Las Vegasi dhe vazhdon jetën në New Mexico.
Për më shumë, ai thotë se të dhënat që i posedon, nuk janë vetëm fantazi, porse të bazuara në burime të konfirmuara. Për dallim nga regjisori, aktori që do ta luajë Tupacun, Richard Garcia, beson se ai ka vdekur në vitin 1996.