Rihanna ka kërkuar falje pasi ka përdorur një këngë në shfaqjen e saj të fundit të modës Savage X Fenty, shkruan CNN, transmeton Insajderi.
Ajo mori një reagim të ashpër në internet për përdorimin e këngës “Doom” nga artisti Coucou Chloe, e cila përfshin një tekst mysliman të njohur si Hadith.
Rihanna thotë se përdorimi i këngës ishte “i papërgjegjshëm” dhe një “gabim i sinqertë, por i shkujdesur”.
Një Hadith është pjesë e një koleksioni të teksteve që besohet të jenë fjalët e thëna të Profetit Muhamed.
Pas librit të shenjtë Kurani, Hadithet shihen si disa nga tekstet më të rëndësishme fetare për myslimanët.
Vargu arab i përdorur në këngë është pjesë e një hadithi për ditën e gjykimit.
Coucou Chloe ka kërkuar falje, duke thënë se nuk ishte në dijeni që kënga përmbante vargjet islamike.
Marka e modës dhe bukurisë e Rihanna, Fenty është vlerësuar për përkushtimin e saj ndaj diversitetit në të kaluarën.
Por disa mbështetës myslimanë vunë në dyshim përdorimin e këngës kur shfaqja e të brendshmeve u transmetua në Amazon Prime më 2 tetor.
Hodhen Liaden, 26 vjecare është një blogere bukurie si dhe fanse e Rihanna-s por mendoi se ishte një hap i gabuar për të përfshirë këngën në shfaqje.
Ajo thotë se kërkim-falja e Rihanna-s është “freskuese” por mendon se markat e mëdha “kanë nevojë për më shumë njerëz myslimanë në këto industri që mund të korrigjojnë gjëra të tilla”.
Kjo nuk është hera e parë që Rihanna akuzohet për pandjeshmëri ndaj Islamit. Në vitin 2013, asaj iu kërkua të linte një xhami në Abu Dhabi pasi pozoi për “fotografi të papërshtatshme”. /Insajderi.com