Mel B ka pranuar se kishte marrë shumë kokainë dhe kishte tentuar të vetëvritej
Secilën herë e më shumë, yje nga bota e showbizit, kanë vendosur ta rrëfejnë anën e errët të famës, problemet me të cilët ata përballen dhe fshihen prej audiencës.
Në librin e saj autobiografik, “Brutally Honest” këngëtarja ka rrëfyer shumë sekrete të errëta të jetës së saj private.
Mel B ka pranuar se ka marrë nga gjashtë “vija” kokainë në ditë derisa ishte e angazhuar në ‘X Factor’, në mënyrë që t’i mbijetonte lidhjes me burrin e saj, Stephen Belafonte.
Në këtë libër, këngëtarja e “Spice Girls” ka treguar edhe për përpjekjen e saj për t’u vetëvrarë duke marrë 200 tableta kundër dhimbjes në vitin 2014.
Kjo kishte ndodhur në natën kur e kishin zëvendësuar në gjysmëfinale të ‘X Factor’, derisa vetëm një natë më pas, ajo ishte paraqitur sërish në jurinë e këtij spektakli për talentë.
Shenjat e tentim-vetëvrasjes ishin vërejtur qartë, mirëpo 43-vjeçarja asokohe kishte thënë se ishte infektuar me një virus.
Në librin e kujtimeve të saj, Mel B ka pranuar se ditën e kishte nisur duke marrë kokainë.
“Isha një person i pikëlluar dhe patetik. Isha jashtë kontrolli. Ditën merrja pesë-gjashtë vija, para dhe pas punës”.
“Kjo gjë ma zbuste dhimbjen. Më bënte mjaftueshëm të gatshme dhe më bënte të harroj gjithçka, pos spektaklit”.
“Isha aq keq, saqë dy javë pas xhirimit të ‘X Factor’ fillova të merrja kokainë në mënyrë që të isha e qëndrueshme. Që t’i mbijetoja jetës edhe më Stephenin që ishte si një klaustrofobi neurotike”, ka rrëfyer Melanie Brown, raporton Telegrafi.
Mel B ka thënë se ish-burri i saj e kishte bërë të ndihej e shëmtuar dhe e padëshiruar, dhe se ai mbante xhirime të shumta seksuale me të.
Asokohe, ajo ua kishte shkruar një letër vajzave të saj dhe i kishte pirë tabletat, mirëpo derisa ishte akoma e vetëdijshme kishte shkuar në spital, ku e kishte humbur vetëdijen në hyrje dhe ishte rrëzuar me fytyrë.
Mjekët e kishin këshilluar të qëndronte në spital sepse mëlçia dhe veshkat nuk ishin në rregull, mirëpo ajo vendosi menjëherë të kthehej në spektakël.