Shkëlqimi dhe groteska brenda pikturave të Bekim Berishës

Shkëlqimi dhe groteska brenda pikturave të Bekim Berishës

Punimet e Bekim Berishës nuk janë prej veprave artistike të cilat të sjellin ndonjë tjetër artist në mendje. Vetëm një ‘scroll’ i shkurtër nëpër Instagramin e tij, do iu bëjë të kuptoni që është një artist unik në kuptimin literal të fjalës.

Bekim Berisha përmes syrit, mendjes dhe dorës së tij me vëmendje të jashtëzakonshme për detaje, na hap portalet e një realiteti magjik, ku vajza që i ngjajnë kukullave të porcelanit e herë krijesave të një realiteti me një estetikë dhe tonalitet ngjyrash që herë të kujton filmat e Dario Argentos dhe herë të tjera personazhet te “Lizës në Botën e Çudirave”.

Një gërshetim i përkryer mes groteskës, ekstravagancës dhe një shkëlqimi alla Lana del Rey, personazhet e Bekimit, shumica gra ose krijesa hibride luajnë me imagjinatën tonë përmes detajeve asociative, të cilat lënë aq shumë mundësi për interpretime, sa të krijohet komplet një shfaqje teatrale para syve sa herë risheh detajet e pikturave.

/

Në një bisedë për Gazetën Online Insajderin, tentuam të kuptojmë më shumë për autorin e këtyre pikturave, procesin e punës dhe për inspirimet e tij.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Bekim Berisha (@bekimxberisha) on

Si ke filluar të pikturosh? Çka të ka shty të fillosh pikturën?

Ka ndodhur krejt herët dhe krejt natyrshëm për mua, si fëmijë nuk më kanë tërhequr aktivitet me të cilat janë marrë moshatarët e mi, kështu që në pikturë gjithmonë e kom gjetur vetën. Ka qenë rekreacion e të njëjtën kohë një mënyrë e shprehjes së vetes.

 

Si e fillon një pikturë? A ke ndonjë ritual që i paraprinë?

Gjithmonë duhet të ketë muzikë në prapavijë. Shpesh dëgjoj audio dokumentar ose intervista për personazhe që më inspirojnë, përderisa punoj në një pikturë.

 

Çka të inspiron?

Inspirimi për mua vjen shumë spontanisht dhe shpeshherë edhe nga gjëra shumë të papritura, po disa nga burimet kryesore të inspirimit për mua janë karakteret femërore, stili i modës nga periudha barok, arkitektura gotike, piktura fresco në mure të kishave dhe katedraleve, elementet e ndryshme të natyrës, muzika ambient etj.

 

Cilët janë artistët ose piktorët që të kanë influencuar?

1. Hieronymus Bosch

2. Caravaggio

3. Margaret Keane

4.Krijimet e modës nga John Galliano.

5.Gjithashtu edhe puna e Tim Burton ka pas influencë në stilin tim.

 

Cili është koncepti i pikturave?

Nuk preferoj shumë ta shtjelloj konceptin ose çka më shtyn të filloj një pikturë të caktuar. Më pëlqen që shikuesi ta ketë lirinë e interpretimit personal pa u ndikuar prej konceptit primar. Mendoj që përshtypja edhe emocioni i parë që përjetohet prej një pikture, prej audiencës si konsumues i artit tim, është gjëja më e vlefshme që mund të nxjerr prej një vepre.

 

Cilat janë disa prej punimeve tua qe i preferon më shumë dhe pse?

Daydream Interrupted – 2020

Kjo vepër mjegullon vijën mes realitetit dhe fantazisë dhe tregon se si këto dyja duhet të bashkekzistojnë në mënyrë që eksperienca e njeriut të evoluojë.

 

Guardian of The Ashes – 2019

Është njëra prej veprave që më ka shty më së shumti me e përdor potencialin e aftësisë së vizatimit teknik dhe imagjinatës bashkë për të  krijuar një storie vizuale. Është interpretimi im i një figure amnore dhe mbrojtëse, në këtë rast njëra nga mbretëreshat e Egjiptit të lashtë – Nefertiti.

 

Longing for Home – 2018

Kjo vepër për mu kapsulon nostalgjinë – përmbledhje e ndjenjave të mungesës për gjana edhe ndodhi në të kaluarën të cilat i çmoj gjithmonë.

 

Still Breathing – 2019

Shpreh monotoninë e arkitekturës moderne, industrializimit si dhe ndjenjën e izolimit në një ambient të stërmbushur.

Insajderi.com