Shkëlzen Jetishi rezulton pozitiv për COVID-19

Dikur këngëtari nuk respektoi udhëzimet për vetë-izolim.

Shkëlzen Jetishi rezulton pozitiv për COVID-19

Në fillim të marsit, kur veç ishin konfirmuar rastet e para me Coronavirus, Shkëlzen Jetishi-Xeni kishte qenë në një ditëlindje në Gjilan, ku këndoi këngëtari Muhamet Sejdiu i cili kishte testuar pozitiv për virusin, njofton Insajderi.

Xeni kishte konfirmuar për Magazina.al, se ka disa ditë që është vetë-izoluar dhe po qëndron në shtëpi.

“Po unë jam izoluar pasi kam qenë në atë ditëlindje, nuk kam ndonjë shqetësim shëndetësor kam bërë kontrolla tek mjeku dhe jam mirë, më kanë kontaktuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Po qëndrojë brenda me familjen time”, kishte thënë këngëtari.

Në mars, datë 22, këngëtari ishte shoqëruar në stacionin e policisë së Gjakovës pasi ka dalë nga shtëpia duke shkelur urdhrin e autoriteteve kosovare për vetë-izolim.

Këtë e kishte konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj i cili tha se këngëtari është shoqëruar në polici, është intervistuar dhe pastaj është liruar me premtimin se do e respektojë masën e vetë-izolimit.

“Dje është hapë rast për këngëtarin Shkelzen Jetishi për mosrespektim të urdhëresës. Është hap rast dhe është liru në procedurë të rregullt me premtimin që ka me e respektu urdhëresën”, tha Gjurkaj për gazetën Sinjali.

Shkelzen Jetishi ishte urdhëruar të vetë-izolohej, pasi ishte parë afër këngëtarit tjetër nga Gjakova Muhamet Sejdiu, i cili rezultoi pozitiv në testin për Coronavirus.

Këngëtari gjakovar, tani ka konfirmuar për Gazetën Blic, se ai ka rezultuar pozitiv për Coronavirus, por që është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se po qëndron në vetë-izolim.

“Jam në gjendje të mirë shëndetësore, por vetë erërat nuk po i ndjejë. Momentalisht ndodhem në vet-izolim”, tha Jetishi për Blic.

Më 26 prill edhe përpjekja e tij për të realizuar një koncert falas në Gjakovë, ishte ndërprerë nga policia. Policia ka ndërhyrë për të ndërprerë koncertin për shkak të mungesës së distancës nga banorët dhe një grupi që nisi të mblidhej poshtë banesave për të ndjekur Xenin nga afër.

Ai me orkestrën dhe teknikën përcjellëse më pas ishte zhvendosur në hapësirat e restorantit të tij, nga ku koncerti u transmetua në televizionin Dukagjini. /Insajderi.com