Shoferi fajtor u dënua me 3 vjet e gjysmë burgim, reagon babai i viktimës në aksidentin në Rrugën B

Shoferi fajtor u dënua me 3 vjet e gjysmë burgim, reagon babai i viktimës në aksidentin në Rrugën B

Afrim Abdullahi, me zhgënjim e ka pritur vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila e dënoi me 3 vjet e gjysmë burgim shoferin L.M.

Nga aksidenti që ai e shkaktoi, Afrimit i vdiq vajza 30-vjeçare.

20- vjeçari L.M i kishte goditur me veturën e tij dy këmbësore në Rrugën B, vitin e kaluar, raporton KTV.

Abdullahi thotë se për vepra shumë më të lehta, njerëzit janë dënuar me më shumë se 4 vjet burgim, ndërsa, sipas tij, vrasësi i së bijës, ka shpëtuar me vetëm 3 vjet e gjysmë burgim, dhe atë i mbrojtur në liri.

Abdullahi shton se shteti me këtë vendim, ia vrau vajzën për të dytën herë.

Ai tregon se nuk ishte i informuar se të hënën do të kishte seancë dhe vetëm gjysmë ore para se të fillonte ajo, e kishin njoftuar për të.

Vendimi thotë se u mor shumë shpejt, e madje pa praninë e tij në sallë.

Ndaj vendimit të Themelores në Prishtinë, familja Abdullahi ka paralajmëruar se do të organizojë edhe protestë.

Në lidhje me vendimin, televizioni ka pyetur Gjykatën Themelore, por zyrtarë të saj kanë kërkuar vetëm referim në komunikatën për media.

Aty sqarohen vetëm rrethanat e aksidentit dhe se i dënuari do të mbrohet në liri deri në plotfuqishmërinë e vendimit.

Lindita Abdullahi, 30-vjeçare, dhe Florjeta Rugova, u aksidentuan në tetor të 2018-s, derisa po kalonin rrugën në vendin e këmbësorëve.

Ato u goditën nga vetura e L.M, e cila po lëvizte me shpejtësi të lartë.

Lindita Abdullahi, nënë e një djali 21 muajsh, vdiq në QKUK rreth 5 orë pas aksidentit, ndërsa Florjeta Rugova, pas disa ditëve.