Gjatë ditës së sotme, këngëtarja Silva Gunbardhi ndau në llogarinë e saj në Instagram, një insert të shkëputur nga një sesion live i reperes botërisht të famshme, Cardi B. Në video shihet reperja gjoja se po dëgjon këngën e saj shumë të famshme “Të ka lali shpirt” të publikuar në vitin 2013, në bashkëpunim me Mandi Nishtullën, njofton Insajderi.
“Të dua”, shkruan këngëtarja nën videon e ndarë ku ka etiketuar llogarinë e reperes në Instagram – por Silva më vonë do të kuptonte se ra pre e një editimi fals të videos, dhe më pas ajo e kishte fshirë postimin e saj.
Kaq mjaftoi që mediat të bien në lajthitje dhe të raportonin lajmin si të vërtetë.
Më vonë u gjet videoja origjinale e lidhjes së saj të drejtpërdrejtë, dhe u kuptua se ishte një editim, sepse në asnjë moment të videos, Cardi B nuk shihet duke dëgjuar këngën e këngëtares shqiptare.
Se videoja është e montuar këtë e pranoi edhe autori i videos false, përmes një postimi të bërë në rrjetin social Twitter.
“E di që të gjithë shpresuam që kjo ishte e vërtetë, por rezulton të jetë e edituar nga një tjetër personalitet i imi. Jemi mashtruar”, shkroi një person anonim me llogarinë e quajtur @subwayrat1.
I know we all hoped this was real, but it turns out it was edited by my other personality. We’ve been duped 😔 pic.twitter.com/qzKNp0Gm0s
— rat 🐀 (@subwayrat1) August 5, 2020
Në fakt një gjë e tillë do ishte lehtë e besueshme për faktin se kjo këngë është një nga hitet më të mëdha shqiptare. Tani pas shtatë vitesh kënga numëron më se 550 milionë klikime në platformën e Youtube. /Insajderi.com