
E ftuar së fundmi në Wakeup në Top Channel, Edona Llalloshi foli për fillimet e saj në muzikë.
Në një lidhje direkte teksa të pranishmit diskutonin për festivalin e parë të këngëtares kur ishte veçse një vogëlushe, ajo u pyet edhe për historinë e këngës “Simpatia”, njofton Insajderi.
Për një këngë që i mbijetoi kohës, “Simpatia” nuk kishte qenë e mirëmenduar por vetëm një produkt spontaniteti. Në një takim me Naim Krasniqin, ai i prezantoi Edonës dhe babait të saj disa kolona zanore, sepse këngëtarja kishte nevojë për këngë të reja si e ftuar në një xhirim për vitin e ri.
“Simpatia e gjitha spontanisht është krijuar. Isha e ftuar në një program festiv dhe i kërkuam Naim Krasniqit nja tre katër këngë, urgjentisht”. Mirëpo suksesin e kësaj kënge, ajo ia atribuon babait të saj shumë intuitiv, sepse ishte ai që e ‘nuhati’, “Babai im e ka një nuhatje, është shumë e çuditshme. Në momentin që ai e dëgjoi vetëm si kolonë zanore tha: kjo na duhet”.
Po kjo këngë vite e vite më vonë u rikrijua nga Dhurata Dora dhe Lumi B. Këngëtarja e kishte dëgjuar këtë version paraprakisht para se të jepte lejen të rikrijohej dhe thotë se i kishte pëlqyer, mirëpo i mungon diçka.
“Si bashkëpunim mua më pëlqeu mirëpo i mungon ai refreni, sepse Simpatia e ka refrenin shumë të bukur, por për mua prapëseprapë, origjinali mbetet më i miri”. /Insajderi.com