Me 17 shkurt, Kosova shënoi përvjetorin e 13-të të Pavarësisë, dhe shumë këngëtarë paralajmëruan mbrëmje muzikore në nder të ditës, njofton Insajderi.
Masat parandaluese për përhapjen e virusit vdekjeprurës janë akoma në fuqi ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë ndonjë njoftim para 13 vjetorit të Pavarësisë se lejohet mbajtja e mbrëmjeve muzikore më shumë se 50 persona.
Kjo nuk doli të ishte pengesë për këngëtarët si Robert Berisha, Fifi, Meda Besart Halimi, Aida Doci dhe Albina Kelmendi dhe Alban Mehmeti të mbanin mbrëmje muzikore nëpër qytetet e Kosovës, ndeja këto që mblodhën një numër të madh personash.
Festa në organizimet muzikore nisi nga 18:00 ose 19:00 dhe vazhdoi deri në ora 21:00 ose 22:00.
Fifi u rikthye në qytetin e lindjes për të performuar në një nga lokalet e Ferizajt. Numri i të pranishmëve ishte i madh, ku nuk respektohej distanca dhe as mbajtja e maskave.
Këngëtarja publikoi edhe një video përmbledhëse të ahengut në llogarinë e saj në Instagram, video kjo që u prit me shumë kritika nga ndjekësit e saj. Njëri nga ndjekësit e pyet “A ka virus”, ajo ia kthen: “E kom djeg edhe virusin sonte, m’fal për modestin”.
Ashtu siç paralajmëroi edhe Robert Berisha, ai performoi në një nga lokalet ku në pamjet nga festa pati një numër të jashtëzakonshëm njerëzish të pranishëm.
Pamje të njëjta si ato tek Roberti, pati edhe në mbrëmjen muzikore të Besart Halimit. Një numër i madh të rinjsh, pa distancë sociale dhe maska në një ambient të mbyllur. Njëjtë ndodhi edhe në lokalin ku po performonte Alban Mehmeti.
Meda gjithashtu organizoi një mbrëmje të madhe muzikore, ku të pranishëm pati një numër të madh njerëzish, që binte ndesh me udhëzimet e qeverisë.
Aida Kelmendi gjithashtu publikoi video që kishte xhiruar vetë nga mbrëmja muzikore ku ajo po këndonte. Një numër i madh njerëzish vallëzonin në tingujt e këngës “Oj Lulije”, ku edhe njëherë asnjë masë nuk po respektohej.
Një tjetër këngëtare që po këndonte mbrëmjen e djeshme për një numër të madh njerëzisht ishte edhe Aida Doçi.
Ndërkohë që një numër i madh qytetarësh po festonin në lokale të mbyllura me shumë njerëz, pesë persona kanë vdekur si pasojë e infektimit me Coronavirus në Kosovë, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
IKSHPK, ka raportuar për 297 raste të reja të infeksionit. Numri total i rasteve pozitive është 65 mijë e 65 raste dhe një mijë e 553 raste të vdekjes. /Insajderi.com