Stresi shpallet i kërkuar nga policia

Stresi shpallet i kërkuar nga policia

“Unë do të organizoj protestën më të madhe që ka parë ndonjëherë populli shqiptar”, ishte deklarata euforike e Stresit për kamerat e Tv Klan gjatë protestës së djeshme, video të cilën reperi e publikoi edhe në llogarinë e tij në Instagram, njofton Insajderi.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by STRESI (@stresi)

Gjatë ditës së djeshme qytetarë të panumërt u mblodhën nga ora 16:00 në një protestë që do ishte paqësore para Ministrisë së Brendshme ku kërkonin drejtësi për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha nga dora e një oficeri të policisë. Shpejt, protesta degradoi në dhunë dhe dëmtim të pronës publike dhe private.

Deri më tani tre persona janë arrestuar nën dyshimet si organizatorë të protestës, katër të tjerë po ndiqen penalisht në gjendje të lirë, ndërkaq tetë të tjerë janë shpallur të kërkuar nga policia.

Ndër këta të tetë, është edhe Arkimed Lushaj 34 vjeçar, që të gjithë e njohim si Stresi. Sipas policisë këta persona kundërshtuan me dhunë dhe goditën me sende të forta punonjësit e policisë e më pas shkatërruan pronën shtetërore dhe atë private.  Nga incidentet kanë mbetur të lënduar 16 punonjës policie, efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së ndërhyrjes së shpejtë.

Kjo nuk është hera e parë që reperi ka telashe me rendet e ligjit. Në vitin 2012, ai u arrestua gjatë kohës, që po dilte nga një lokal nate, pasi me vete kishte një pistoletë pa leje.

Në janar të 2015-s, Stresi ishte arratisur nga komisariati i policisë nr. 3 në Tiranë. Për këtë ngjarje u hetuan disa policë për mosveprime, ndërsa vetë këngëtari u shpall në kërkim. Atëherë ai ishte ndaluar pasi kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke i dhënë makinës në gjendje të dehur.

Ndërsa, në tetor të vitit 2018, në një njoftim për mediat, policia kishte deklaruar se Arkimed Lushaj ishte anëtar i një grupi kriminal që operonte në Tiranë në trafikun e narkotikëve dhe krimeve kundër personit. Arrestimi i artistit erdhi pas hetimeve disa mujore pikërisht ndaj këtij grupi.

Lushaj u kap në një hotel në Linzë dhe iu sekuestruan një sasi e vogël kokaine, një pistoletë dhe 12 fishekë 7.65 mm. /Insajderi.com