Mbrëmë, Arjon Luli pranoi të shfaqej në studion e “Për’puthen” – ndonëse virtualisht – për të sqaruar anën e tij të gjithë historisë me konkurrenten, Ana Lleshi, njofton Insajderi.
Në studio ishin prezentë vetëm opinionisti Arjan Konomi dhe moderatorja Bora Zemani, ndërkaq pjesa tjetër e konkurrentëve do të ndiqnin rrëfimin e tij nga një studio tjetër.
Ky ndryshim nuk erdhi pa një shkak. Ishte Konomi, i cili në fillim të kësaj puntate të pazakontë, zbuloi atë që produksioni dinte prej kohësh – Arjon Luli vuan nga një çrregullim i të mësuarit, shpesh e quajtur edhe si aftësi e kufizuar e leximit, disleksia.
“Më mbeti peng, dhe gjatë emisioneve duhej thënë”, shpehet Konomi. “Arjoni vuan nga një disklekzisëm, është disklesik. Ka filluar të flasë në moshë madhore, dhe siç më ka treguar ai në moshën 15, 16 vjeçare, ka arritur të formojë disa fjali në mënyrë më të qartë”.
Më tej Konomi thotë se Arjoni kishte avansuar ende me shumë me të folurën e shqipes që kur ai ishte bërë pjesë e emisionit. Por, ai do të shprehej më mirë pa të gjithë konkurrentët e tjerë prezentë që do të mund të ndërprisnin trenin e tij të mendimeve.
Shpeshherë në llogari të Arjonit janë bërë meme dhe komente tallëse, sepse komentuesit nuk ishin në dijeni të problemit që ai kishte në të shprehur, gjë që ndërroi komplet edhe përceptimin e publikut për të.
Në situata emocionale dhe shqetësuese, ky problem theksohet ende më shumë, dhe kjo është arsyeja se pse videon që ai kishte publikuar në llogarinë e tij në Instagram, ishte e tëra në italisht. Meqenëse ai është rritur në Itali, ishte kjo gjuhë në të cilën ai mund të shprehej më mirë.
Por, çfarë është diskleksia?
Disleksia është një çrregullim i të mësuarit që përfshin vështirësi në të lexuar për shkak të problemeve të identifikimit të tingujve të të folurit dhe të mësuarit se si ato lidhen me shkronjat dhe fjalët (dekodimi). Gjithashtu e quajtur aftësi e kufizuar e leximit, disleksia prek zona të trurit që përpunojnë gjuhës, sipas Mayo Clinic.
Kjo nuk është sëmundje. Njerëzit me disleksi nuk janë budallenj ose dembelë. Shumica kanë inteligjencë mesatare ose mbi-mesatare dhe ata punojnë shumë për të kapërcyer problemet e tyre të të mësuarit dhe të folurit.
Kërkimet kanë treguar se disleksia ndodh për shkak të mënyrës se si truri përpunon informacionin. Fotografitë e trurit tregojnë se kur njerëzit me disleksi lexojnë, ata përdorin pjesë të ndryshme të trurit sesa njerëzit pa disleksi. Këto fotografi tregojnë gjithashtu se truri i njerëzve me disleksi nuk funksionon me efikasitet gjatë leximit. Prandaj, leximi duket si një punë kaq e ngadaltë dhe e vështirë që më pas ndikon edhe në të shprehurit e atij personi.
Leximi është pak a shumë si të ngasësh biçikletë: kërkon të bësh shumë gjëra në të njëjtën kohë me precizitet. Me praktikë, lexuesit tipikë gradualisht mësojnë të lexojnë automatikisht fjalët në mënyrë që ata të mund të përqendrojnë gjithë energjinë e tyre mendore në kuptimin dhe kujtimin e asaj që kanë lexuar.
Si ndikon disleksia në të folur?
Imagjinoni sikur jeni duke parë televizion dhe papritmas ju njihni fytyrën e aktorit të preferuar të mamasë tuaj. Ju e thirrni menjëherë. “Ndeze televizorin …Është… është…e njeh bre atë burrin… atë aktorin që ka luajtur te… ai filmi që pamë atëherë…”
Papritmas ju keni humbur fjalët, edhe pse e dini kush është aktori. Po përjetoni një problem momental me atë që ekspertët e quajnë rikthim fjalësh ose gjetje fjalësh.
Të gjithë e përjetojnë këtë herë pas here. Por me disleksinë, mund të ndodhë shpesh dhe me të gjitha llojet e fjalëve.
Fëmijët dhe të rriturit me disleksi mund të dinë një fjalë, por kanë probleme të kujtojnë se si tingëllon. Fjala që ata duan të thonë mund të jetë “në majë të gjuhës”. Por ata kanë vështirësi të sjellin në mendje kombinimin e saktë të tingullit për atë fjalë.
Njerëzit me disleksi mund të thonë një fjalë të gabuar që tingëllon e ngjashme me atë të duhurën (si ‘bishë’ në vend të ‘pishë’).
Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se stresi dhe shqetësimi emocional mund ta bëjë më të vështirë gjetjen e fjalëve.
Pse kjo nuk u përmend më herët në “Për‘puthen”?
Kjo fare thjesht mund të kishte qenë edhe zgjedhja e Arjonit, që të mos adresonte problemin e tij kaq publikisht. Mirëpo një shtysë duhej bërë edhe nga produksioni për të hedhur më shumë dritë mbi këtë çrregullim që nuk është i rrallë tek fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit.
Në përfundim, ky zbulim dhe rrëfimi i Arjonit ndryshoi komplet qëndrimin e ndjekësve të emisionit ndaj tij. Si një komponent shumë i rëndësishëm në rrjedhën e emisionit që janë komentet, të shumtë ishin ata që i kërkuan falje e të tjerë theksonin se kjo duhej përmendur që në fillim të emisionit, ngase ai ka marrë komente nga më negativet. /Insajderi.com