17 vite pas përfundimit të luftës qindra familje kosovare po jetojnë me plagë të hapura dhe me shpresën e shuar se tashmë institucionet kosovare do ta zgjidhin çështjen e familjarëve të tyre të zhdukur.
Por, për çështjen e të pagjeturve pritet të diskutohet së shpejti në Bruksel, ndërsa Ministria e Dialogut Edita Tahiri thotë se ka ende mënyra se si kjo çështje mund të ndihmohet.
Tahiri ka thënë se në rundin e tretë të bisedimeve Kosovë – Serbi çështja e të pagjeturve do të jetë më e rëndësishmja që do të diskutohet.
“Kjo temë do të jetë tema kryesore në rundin e tretë të bisedimeve në kuadër të temave të reparacionit”, ka thënë Tahiri. Ajo ka shtuar se ende ka shumë mënyra se si mund të ndihmohet ky proces.
“Në mënyrë të veçantë, përmes hapjes së arkivave të ushtrisë dhe të policisë serbe, meqë tashmë edhe është konfirmuar se në këto arkiva ka të dhëna që do të mundë të ndihmonin në zgjidhjen, gjegjësisht ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave që vazhdojnë të jenë të evidentuar të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë”, thuhet në përgjigjet e Tahirit për gazetën Zëri.
Në anën tjetër kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj, nuk është shprehur i kënaqur me punën e ministres Tahiri deri më sot. Madje dyshon që kjo temë do të hapet në Bruksel edhe tani.