Zgjedhjet e këtij viti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mes presidentit aktual republikan, Donald Trump dhe kandidatit për president të Demokratëve, Joe Biden, po konsiderohen si ndër zgjedhjet më të ngushta prej kohësh në SHBA, njofton Insajderi.
Një garë presidenciale që po komentohet tash e shumë javë, edhe disa nga të famshmit shqiptarë që jetojnë në tokën amerikane, morën pozicionet e tyre karshi kandidatit që mbështesin.
Pesë ditë më parë, aktorja me prejardhje shqiptare, Eliza Dushku kreu detyrimin e saj si qytetare amerikane. Me një postim në llogarinë e saj në Instagram, ajo zbuloi se ka votuar për kandidatin e demokratëve, Joe Biden dhe shoqëruesen e tij presidenciale, Kamala Harris, njofton Insajderi.
“Votova për Joe Biden dhe Kamala Harris, sepse unë vlerësoj demokracinë tonë dhe kujdesem për të ardhmen e fëmijës tim dhe tëndit”, shkruan ajo, nën një video ku shfaqet me bashkëshortin e saj Peter Palandijan, duke vallëzuar në makinë.
Këngëtarja nga Shqipëria, Bleona edhe këto zgjedhje po përkrahë Donald Trump-in. Para pak ditësh, ajo u takua edhe me Richard Grenell, duke konfirmuar më tej se ajo po voton për partinë republikane.
Ndërkohë sot, këngëtarja gjendet në Uashington, në hotelin “Trump International”, dhe është bërë gati për festë, duke besuar bindshëm në fitoren e Donald Trump.
View this post on Instagram
Aktorja kosovare, Yllka Gashi dhe bashkëshorti i saj gëzojnë nënshtetësi amerikane dhe kanë kohë që janë zhvendosur të jetojnë atje. Çifti zbuluan se votuan për kanditatin demokrat, Joe Biden.
“Ne votuam”, shkroi ajo në një postim në Instagram. “Ta bëjmë Amerikën të mirë përsëri”.
Muzicientja shqiptaro-amerikane, Kristinë Elezaj, që njihet me nofkën Ke-Be, ka lindur dhe jeton në New York. Ndonëse ajo nuk zbuluar për ndjekësit në rrjete sociale se për kë votoi, në Twitter ka ndarë postime të Jim Jordan dhe Kayleigh McEnany, që janë të partisë republikane që kandidat për president ka Donald Trump-in.
Këngëtarja me prejardhje nga Saranda dhe Qiparo, Ava Koci, që njihet me emrin skenik Ava Max, ka nxitur ndjekësit e saj të votojë. Në një postim së fundmi në llogarinë e saj, ajo tha se kishte votuar, por që nuk kishte bërë publike se cilin kandidat e donte si president.
Njomza Vita, prodhuesja e shumë hiteve që e njohim si Not Njomza, gjithashtu ka kryer detyrimin e saj. Ndonëse as ajo nuk bëri publike se cilin kandidat ka votuar, ajo dha përkrahjen e saj për Sarah McBride, që bëri histori të martën në mbrëmje kur u bë zyrtarja e parë që doli hapur si trans në Amerikë pasi fitoi një vend në Senatin e shtetit të Delaware.
Bebe Rexha në vazhdimësi ka bërë thirrje qe të gjithë ata me të drejtë votë, të regjistrohen dhe të votojnë këto zgjedhje presidenciale. Artistja nuk ka bërë publike se cilin kandidat e përkrahë këto zgjedhje, mirëpo nisur nga performanca e saj në koncertin bamirës “ACLU Nationwide”, Donald Trump nuk është presidenti i saj.
Gjatë performancës ajo thërret “F**K Donald Trump”, e më vonë në një postim tashmë të fshirë nga llogaria e saj në Instagram, kishte shpjeguar më tej gjestin e saj.
“Unë jam vajzë imigranti. Nuk do të isha këtu ku jam, nëse babai im nuk do të vinte në Amerikë nga Shqipëria. Amerika është shtëpia e njerëzve të lirë. Mos shkatërroni ëndrrën amerikane”.
Këngëtarja dhe modelja nga Mali i zi, Afërdita Dreshaj, ndau me ndjekësit e saj sot se ajo ka votuar, duke mos zbuluar se cilin kandidat po mbështetë.
Të tjerë të famshëm si Emina Çunmulaj e cila ka kritikuar herë pas here politikat e Donald Trump, Angela Martini dhe Vildane Zeneli, nuk janë pozicionuar publikisht pro asnjë kandidati, por ndërkohë kanë përdorur platformat e tyre për të nxitur njerëzit të regjistrohen dhe të votojnë. /Insajderi.com