Thanë se terroristi në Austri u frymëzua nga kënga e tij, reagon reperi shqiptar

Thanë se terroristi në Austri u frymëzua nga kënga e tij, reagon reperi shqiptar

Policia austriake ka marrë një video që mund të hedhë dritë mbi sulmin terrorist të 2 nëntorit, dhe kjo është mënyra se si terroristi Kujtim Fejzullai erdhi i armatosur në qendër të Vjenës, njofton Insajderi.

Videoja tregon një burrë në sediljen e pasagjerit të një makine BMW me një pushkë automatike midis këmbëve, e njëjta lloj arme e përdorur në sulm, e cila vrau katër persona dhe plagosi më shumë se 20.

Sipas të përjavshmes “Profile”, policia e mori këtë video me 10 sekonda natën e sulmit. Në sfond dëgjohet kënga shqiptare “Ak47” nga reperi Nushi, gjë që shtyu reperin nga Prishtina, të reagojë me një postim në Instagram.

Ai shprehet se për të ngjarja në Austri ka qenë vërtetë tronditëse dhe se nuk mund të ndodhë kurrsesi që një person të frymëzohet për të bërë një veprim të tillë nga një këngë.

“Çdo projekt i imi është i bazuar në realitet, e në ngjarje që fatkeqësisht ndodhin, e sidomos viteve të fundit që është shpeshtuar tej mase. Për mua ka qenë mjafte e dhimbshme ngjarja e fundit, shpresoj mos të ndodhin më kurrë. E, kjo e fundit nuk duhet të jetë asnjëherë inspiruese për të rinjtë sot, e aq më pak për të kryer sulme terroriste e duke vrarë njerëz të pafajshëm, e megjithëkëtë duke dëgjuar këngën time, jam i shokuar… Duhet me qenë kogja psikopat që të inspirohesh në këngë e pastaj të kryesh sulme terroriste, kjo është absurde”, shkruan ai.

Ky reagim i reperit vjen pas disa javësh raportimesh nga mediat e huaja që citojnë këngën e tij si inspirim për terroristin.

“Pasi që ka javë që mediat europiane po shkruajnë për këtë ngjarje mua me vjen vërtetë keq që jam përfshirë me këngën time në këtë tragjedi, madje që është cekur në mediat e huaj emri edhe kënga ime “AK-47”, e siç e cilësohet nga ta “këngë inspiruese”. Më vjen shumë keq për familjet e viktimave në Austri edhe i shprehi ngushëllime të sinqerta. Zoti qoftë me ju!”, shkruan reperi. /Insajderi.com