U nda nga gruaja pasi u deklarua homoseksual – Ish gruaja padit Elton John

U nda nga gruaja pasi u deklarua homoseksual – Ish gruaja padit Elton John

Ish gruaja e Sir Elton John, Renate Blauel, ka filluar procedurat ligjore kundër këngëtarit në gjykatën e lartë, në një ndërhyrje të rrallë nga një grua që ka shmangur publicitetin për dekada të tëra, shkruan The Guardian, transmeton Insajderi.

Blauel paraqiti dokumentet ligjore javën e kaluar dhe po kërkon një urdhër gjyqësor kundër ish-partnerit të saj, sipas dosjeve të shikuara nga Guardian.

Inxhinierja me origjinë gjermane u takua me John-in ndërsa po regjistronte albumin e tij Too Loë for Zero në vitin 1983 dhe ata u martuan vitin e ardhshëm ndërsa ishin në turne në Australi. Martesa përfundoi në divorc në vitin 1988.

John më vonë njoftoi se ishte homoseksual dhe takoi burrin e tij të ardhshëm, David Furnish me të cilin krijoi familje.

Artisti emërohet si i pandehur në dosjet ligjore. Përfaqësuesit e tij nuk pranuan të komentojnë çështjen.

Arsyeja e aplikimit të urdhrit është e paqartë, por qasja shpesh merret në lidhje me çështjet e intimitetit ose për të parandaluar botimin e ndonjë materiali.

Avokati i Blauel konfirmoi që ajo kishte paraqitur dokumentet. Ai nuk pranoi të flasë pse ajo kishte ndjerë nevojën për të kërkuar një vendim gjyqësor të lartë kundër ish-burrit të saj pas dekadash heshtjeje, por tha se ajo ishte “duke shpresuar për ta zgjidhur atë miqësisht”.

Në autobiografinë e tij, botuar vitin e kaluar, John përshkruan agoninë e tij gjatë divorcit nga Blauel dhe luftën e tij për të pranuar seksualitetin e tij.

“Unë kam thyer zemrën e dikujt që e kam dashur dhe që më ka dashur pa kushte, dikë që nuk mund ta fajësoja në asnjë mënyrë”, shkroi ai. “Me gjithë dhimbjen, nuk pati asnjë herë urrejtje. Me vite të tëra më pas, sa herë që më ndodhte diçka, shtypi do të gjendej në pragun e saj, duke kërkuar që ajo të më nxirrte të palarat, por ajo nuk e bëri kurrë, u tha thjeshtë: Më lini të qetë”. /Insajderi.com