Unikatili në përkrahje të protestës së studentëve

Unikatili në përkrahje të protestës së studentëve

Ka tash e sa ditë që studentët në Tiranë po protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve tjera të shtetit, duke insistuar që kërkesat e tyre të aprovohen.

Kushtet e këqija dhe jeta e shtrenjtë ua kanë vështirësuar jetën studentore, çka edhe është bërë shkas që të ngritet kjo protestë masive në rrugët e kryeqytetit shqiptar.

Në mbështetje të këtyre studentëve kanë dalë edhe emra të shumtë nga sporti dhe muzika.

Reperi i njohur shqiptar, Unikkatili, me të parë që disa nga studentët po protestojnë me pankarta, në të cilat janë shkruar një pjesë e tekstit të një prej këngëve të tij, ka vendosur që të njëjtën ta ndajë me ndjekësit e tij në rrjetin social Instagram.

Bëhet fjalë për tekstin e këngës “Qëndro” – këngë në të cilën citohen fjalët: “Po më dhemb kryet, lot pikojnë prej ditës që e gjeta; Fakti që shqiptari merr lajmi në analfabeta”.

Ndërkohë, reperi u ka dhënë mbështetje studentëve në fjalë, duke shkruar në Instagram që ata të mos dorëzohen drejt këtij qëllimi për të cilin janë nisur.

“Forca studentë!! Kur fillon politikani me iu frikësu popullit, atëherë shteti ecë si duhet!! Mirëpo, mos lejoni parti tjera me rrasë hundën këtu”, ka shkruar Unikkatili.

Në banderolat e studentëve ishin të shkruara gjithashtu tekstet e këngëve “1 milion rrugë”, “Për qato”, etj.